Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni ka njoftuar se me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, USAID-it dhe UNICEF-it, nga e hëna (21 mars) fillon karvani i vaksinimit kundër Kovid-19, i cili do të përfshijë 14 bashkësi lokale në të gjithë vendin.
Në secilin prej këtyre vendeve, konform orarit, siç bëhet me dije, qytetarët do të kenë mundësi të vaksinohen dhe të informohen për përfitimet e imunizimit kundër Kovid-19. Gjithashtu, në këto lokacione qytetarët që janë vaksinuar jashtë vendit do të kenë mundësi të regjistrohen në sistemin “Termini Im”.
“Duke pasur parasysh se popullata e pavaksinuar ka rrezik më të lartë të vdekjes se Kovid-19, krahasuar me të vaksinuarit, do të thotë se një pjesë e madhe e popullsisë mbetet e pambrojtur. Vendimi për të vaksinuar nuk duhet të vonohet. Vaksinimi është një mënyrë më e sigurt për të mbrojtur shëndetin sesa infeksioni me virusin, i cili mund të jetë fatal dhe dozat përforcuese ofrojnë mbrojtje të vazhdueshme dhe maksimale. Krahas aktiviteteve të karvanit të vaksinimit, i cili do të realizohet në dy javët e ardhshme dhe do të përfshijë 14 komunitete lokale, qytetarët kanë mundësi të vaksinohen çdo ditë në qendrat shëndetësore në vend”, theksojnë nga Ministria.
Ndryshe, siç theksojnë ata, statistikat tregojnë se kufiri i moshës së të infektuarve me koronavirus tek të cilët shfaqet pasqyrë e rëndë klinike e sëmundjes është në rënie. Mes shtrimeve dhe vdekjeve të fundit të regjistruara nga komplikimet e Kovid-19 në vend ka gjithnjë e më shumë të rinj të rrezikuar dhe në rrezikshmërinë më të lartë në valën e katërt të pandemisë, ndaj me këtë karvan synohet të sjellë më afër mundësinë e vaksinimit për të gjitha kategoritë e qytetarëve që nuk janë vaksinuar deri më tani.