Kuvendi i Maqedonisë përmbyll mandatin pa miratimin e projektligjit për listat e zeza

Maqedonia

Kuvendi i Maqedonisë përmbyll mandatin pa miratimin e projektligjit për listat e zeza

Më: 28 mars 2024 Në ora: 20:14
Foto ilustrim

Më shumë se 130 projektligje në fusha të ndryshme kanë mbetur pa u miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, i cili të enjten ka mbajtur seancën e fundit me përbërjen aktuale.

Bazuar në dispozitat ligjore, Kuvendi duhet të shpërndahet të hënën, më 1 prill, pasi vendi hyn në prazgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare janë caktuar të mbahen më 8 maj së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Kryetari i Kuvendit maqedonas, Jovan Mitrevski, tha të enjten se “efikasiteti i punës së Kuvendit ka qenë peng i numrit të deputetëve në sallë, si dhe i bllokimeve të shumta që kanë ardhur nga partitë politike, në veçanti nga ato të opozitës”.

Në mesin e ligjeve që nuk janë miratuar është edhe ai për masat restriktive, apo siç njihet ndryshe “ligji për listat e zeza amerikane”, por edhe ligje të tjera në sferën e arsimit, shëndetësisë, politikës sociale, ekonomisë e të tjerë.

Por, debat më të madh ka nxitur projektligji për masat restriktive që është hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Projektligji parashikon që shtetasit dhe kompanitë maqedonase që janë përfshirë në listat e zeza të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për shkak të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, t’u nënshtrohen edhe sanksioneve apo ngritjes së hetimeve nga autoritetet vendase.

Propozimi ka ngecur në Komisionin parlamentar për çështje evropiane, pasi kryetari i saj Antonio Milloshoski, nga OBRM-PDUKM-ja opozitare kishte kërkuar debat publik para se ligji të kalojë në procedurë parlamentare për miratim.

Por, sipas tij, këtë pushteti nuk e ka bërë për shkak të lidhjeve që kanë me ish-prokuroren publike, Katica Janeva, dhe kryetarin aktual të Komunës së Strugë, Ramiz Merko, të cilët janë në mesin e zyrtarëve që janë të përfshirë në listën e zezë amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat