Maqedonia e Veriut formon shtab krize për evakuimin e shtetasve nga Lindja e Mesme

Maqedonia

Maqedonia e Veriut formon shtab krize për evakuimin e shtetasve nga Lindja e Mesme

Më: 15 prill 2024 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka formuar një shtab për kriza, i cili do të ketë kompetenca për evakuimin e qytetarëve maqedonas nga Lindja e Mesme, nëse ka nevojë. Ky vendim është marrë pas sulmit iranian ndaj Izraelit me dronë dhe raketa, në orët e para të 14 prillit. Izraeli ka thënë se bashkë me aleatët ka rrëzuar shumicën e dronëve dhe raketave.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi të dielën se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të varet nga puna e aeroportit në Tel Aviv, i cili u rihap në mëngjes. Rruga e dytë e mundshme për evakuim është përmes Jordanisë.

Në shtabin e krizës janë të njëjtët anëtarë që ishin në shtabin në tetor të vitit të kaluar për evakuim të shtetasve maqedonas nga Izraeli, pas sulmeve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – në tokën izraelite, më 7 tetor. Osmani shtoi se në Izrael janë 40 deri në 50 qytetarë, mes të cilëve edhe familjarët e personelit diplomatik në Tel Aviv.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Tel Aviv, ndërsa në dispozicion janë edhe telefonat e shërbimit të MPJ-së në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

“Për fat të keq, paralajmërimet për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme janë bërë të vërteta. Çdo dhunë është e dënueshme, qoftë nga Izraeli, Irani apo Hamasi. Ne i dënojmë të gjitha veprimet, siç i dënuam të mëparshmet, dhe siç do t’i dënojmë sulmet e radhës hakmarrëse që janë paralajmëruar”, tha Osmani.

Ai kërkoi nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për shkak të rrezikut nga përshkallëzimi, dhe aktivizimin e rrugës ballkanike të emigrimit. Nga kabineti i presidentit Pendarovski thuhet se për momentin nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli i Sigurimit.

“Presidenti Stevo Pendarovski është në komunikim me partnerët tanë në NATO. Situata po monitorohet me kujdes dhe aktualisht vlerësohet se nuk ka kërcënim për sigurinë e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatën e presidencës së Maqedonisë së Veriut./REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat