VLEN dhe Osmani përplasen për rastin “Pacienti”

Maqedonia

VLEN dhe Osmani përplasen për rastin “Pacienti”

Më: 17 prill 2024 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Koalicioni VLEN sot përmes një konference për shtyp pranë Spitalit të Gjinekologjisë në Çair kujtuan hetimin tashmë të mbyllur të ish PSP-së, të njohur si rasti “Pacienti”, ku i dyshuar ishte Bujar Osmani.

“Pikërisht kandidati i sotëm për president ka qenë i akuzuar për keqpërdorime financiare dhe në këtë objekt, i cili është i shenjtë për ne dhe që çdo ditë lindin bijat tona, motrat tona, shoqet tona. Publikisht pyesim a meritojnë shqiptarët një kandidat të këtillë për president, pyesim publikisht, nëse nuk e kanë hallin e qytetarëve, a mendojnë këta politikanë se ky spital mund të shfrytëzohet nga të afërmit e tyre. Qytetarët nuk harrojnë asnjëherë Bujar Osmanin-pacientin. Ndoshta gjykata e partizuar nga Artan Grubi e kanë futur në ndonjë qosh këtë lëndë, por koha është për përgjegjësi”, tha Fitore Qirezi nga VLEN.

Ndaj akuzave të VLEN ka reaguar kandidati për president, Bujar Osmani i cili tha se ky ka qenë një rast i prokurores Katica Janeva, e cila tashmë është në burg dhe që është në listën e zezë amerikane.

Osmani thotë se për rastin në fjalë nuk kishte as aktakuzë, ndërsa tha se u hap si temë me kërkesë nga Rusia për diskreditimin e tij.

“Ai rast është një hetim vetëm, që është ngritur nga një prokurore që tash është në burg dhe është në listën e zezë amerikane. Unë prej atëherë e kam ditur që ky hetim është ngritur për të diskredituar, me kërkesë ruse dhe me elemente korruptive dhe vet Prokuroria e ka mbyllur ende në fazë hetimore sepse ka konstatuar se gjithçka ka qenë në rregull. Të ngritni rast për të cilin as nuk është ngritur akuzë, vërtet tregon se sa pa ide jeni dhe sa të them të dëshpëruar jeni”, theksoi Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat