950 vëzhgues, shumica të huaj, po i monitorojnë zgjedhjet presidenciale në RMV

Maqedonia

950 vëzhgues, shumica të huaj, po i monitorojnë zgjedhjet presidenciale në RMV

Më: 24 prill 2024 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

942 vëzhgues monitorojnë procesin zgjedhor ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut votojnë për presidentin e ardhshëm të shtetit. Sipas listës së publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, 342 vëzhgues do të jenë nga vendi, ndërkaq 568 të huaj. OSBE/ODIHR ka më së shumti vëzhgues të akredituar, përkatësisht në mbarë vendin 372 vëzhgues.

Zgjedhjet e sotme kanë zgjuar interesim edhe te mediat ndërkombëtare. Sipas KSHZ-së, 32 gazetarë të mediave të huaja do të raportojnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka formuar Komision të veçantë për ndjekjen e parregullsive eventuale gjatë zgjedhjeve. Ky komision ka njoftuar se është shtuar numri i prokurorëve kujdestarë me qëllim të mbulimit të tërë shtetit dhe ndjekjes së procesit.

Në koordinim me institucionet është edhe Agjencia për Siguri Nacionale e cila punon në mbledhjen e njohurive në lidhje me parregullsitë eventuale.

Për parregullsitë eventuale, qytetarët mund t’i drejtohen dhe Zyrës së Avokatit të Popullit përmes telefonit kujdestar 0800 54321, i cili është aktiv prej orës 07:00 deri në orën 19:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat