Mbi 1000 euro arrijnë harxhimet mujore në Maqedoni

Maqedonia

Mbi 1000 euro arrijnë harxhimet mujore në Maqedoni

Më: 26 prill 2024 Në ora: 18:12
Foto ilustrim

Shtrenjtimi i jetesës në Maqedoni nuk ka të ndalur. Së fundmi, harxhimet mujore që e përllogarit sindikata – arriti në 60.212 denarë dhe është për 1200 denarë më e madhe në raport me muajin mars. Kur kësaj shume i shtohen edhe harxhimet për marrjen e një banese me qira prej 60 metrash katrorë, harxhimet rriten në 75.587 denarë, tregojnë përllogaritjet e Sindikatës së Maqedonisë.

Për më tepër në prill një familje prej katër anëtarësh duhet të shpenzojë 22.200 denarë ose 36.9 për qind për ushqim dhe pije. I nevojitet edhe një shumë prej 6014 denarë ose 10 për qind nevojiten për qira, ujë, rrymë dhe ngrohje, për higjienë personale dhe mirëmbajtjen e higjienës në shtëpi nevojiten 1827 denarë ose 3 për qind, për shëndetësi 1059 denarë ose 1.8 për qind, për transport 5068 denarë, gjegjësisht 8.4 për qind.

Paga mesatare e paguar në shkurt të këtij viti është 39.276 denarë, tregojnë të dhënat e fundit statistikore. Me fjalë tjera nevojitet një pagë e gjysmë mesatare për të plotësuar shportën konsumatore dhe gati tre paga minimale për plotësimin e saj. Mirëpo një pjesë e madhe e punonjësve janë larg pagës mesatare.

Gjithashtu një pjesë e madhe e punonjësve as nuk e arrin tavanin e pagës mesatare, andaj e kanë të vë shtirë që me pagat e tyre të mbulojnë shpenzimet e shportës konsumatore sindidikale. Për shembull mbi 130 mijë punonjës në fabrika apo në industrinë përpunuese në mesatare kanë paga prej 34 mijë denarë ndërsa edhe në kë të veprimtari ekonomike me dhjetëra mijë punonjës në fabrikat e tekstilit dhe lëkurë s paguhen me nga 24-26 mijë denarë.

Në ndërtimtari ku janë të punësuar afër 50 mijë punonjës, paga luhatet prej 34 deri 41 mijë denarë në varësi prej vendit të punës. Mbi 100 mijë të punësuar në tregti kanë paga që luhaten ndërmjet 32 dhe 41 mijë denarë. Edhe më shumë të punësuar të tjerë janë larg pagës mesatare si ato në hoteleri dhe gastronomi me paga mesatare prej afër 27 mijë denarë.

“Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë tradicionalisht do të protestojë më 1 maj, me ç’rast këtë vit do të kërkojë kthimin e shpenzimeve për ushqim dhe transport në vlerë prej 20 për qind të pagës mesatare dhe rritje të pagës minimale në të paktën 450 euro, edhe në 100 ditët e para të qeverisjes së re. Ne do të kërkojmë kthimin e shpenzimeve të ushqimit dhe transportit, një e drejtë që e humbëm në vitin 2009 për shkak të sistemit të llogaritjes së pagës bruto në Maqedoni, do të kërkojmë rritje të pagave, aq sa është në rajon që të mos vihemi në situatë ku qytetarët tanë, punëtorët nga Maqedonia të ndërtojnë ekonomi të tjerëve dhe të punojnë për interesat e të tjerëve.Sot, punëtorët në Maqedoni po përballen me presion për jetesën e tyre për shkak të rritjes së kostos së jetesës, si dhe pagave të ulëta. Punëtorët janë tepër të pakënaqur me gjithçka”, bëri të ditur kryetari i saj, Sllobodan Trendafilov.

Nga qeveria aktuale për sivjet parashikohet rritje me 10 për qind e pagave në sektorin publik, ndërsa pritet të shikohet se si do të reagojë ekzekutivi i ri ndaj kërkesave të sindikatave për paga më të larta.

Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se kompanitë e sektorit privat nuk duhet të kenë problem me pagesën e pagës së re minimale, por thonë se do të jetë problem që të sigurojnë para për rritjen edhe të pagave të tjera nëpër kompani.

“Çdo rritje graduale e mëtejshme e koeficientëve të pagave të punonjësve të tjerë është një problem serioz ose, në rastin më të keq, po bëhet afrimi i atyre kualifikime të ulëta me pagat e punëtorëve më kualifikime më të larta”, thotë Vladanka Trajkoska, kryetare e Organizatës së Punëdhënësve.

Për më tepër edhe subvencionimi i pagave, ende nuk është miratuar. Masa e anti krizë e qeverisë për subvencionimin e kontributeve të punonjësve në pjesën që do të rritet me rritjen e pagave të tyre do të ishte e vlefshme vetëm në tre aktivitete – turizëm dhe gastronomi, ndërtim dhe industri tekstile.

Punëdhënësit kërkuan që ajo të plotësohet, sepse nuk është e drejtë që të zbatohet vetëm për tre sektorë ku pagat janë nën mesatare. Në periudhën e kaluar, punëdhënësit për disa vite kishin shfrytëzuar këtë masë për rritjen e pagave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat