Vazhdon fushata për zgjedhjet kuvendare, partitë në kërkim të votave

Maqedonia

Vazhdon fushata për zgjedhjet kuvendare, partitë në kërkim të votave

Më: 29 prill 2024 Në ora: 22:18
Foto ilustrim

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.

Koalicioni “Për ardhmëri europiane” i udhëhequr nga LSDM, sot ka vazhduar me fushatë në Kumanovë, nënkryetari i kësaj partie Fatmir Bytyqi, tha se në zgjedhjet e 8 majit vendoset për të ardhmen e shtetit.

“Nëse lejojmë që nacionalizmi të kthehet sërish, atëherë do të përballemi me një skenar hungarez, me izolim, duke u kthyer në të kaluarën e shëmtuar kur kishim një shtet të robëruar dhe një shoqëri të ndarë. Ky është një opsion dhe tjetri është patriotik, i cili ofron një të ardhme për të rinjtë tanë dhe paga e pensione më të larta për qytetarët”, tha Bytyqi.

Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka mbajtur tubim në Jegunovcë. Prej atje Hristijan Mickoski tha se në zgjedhjet kuvendare dallimi në fitore me partitë në pushtet do të jetë më i madh.

“Jam i bindur, duke parë se çfarë po ndodh këto pesë ditë që nga përfundimi i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, se edhe kjo do të ndodhë. Na ka mbetur më pak se një javë deri në ditën e zgjedhjeve dhe jam i bindur me këtë energji dhe emocion që ndjej nga populli maqedonas se edhe kjo do të ndodhë”, theksoi Mickoski.

“Fronti Europian” në kuadër të fushatës zgjedhore parlamentare ka vazhduar takimet me banorët e Tearcës. Prej atje kryetari i BDI-së Ali Ahmeeti, ka theksuar se “tani kemi dy opsione, opsioni i integrimit dhe opsioni i vendnumërimit”.

“Më 8 maj vendoset a do të shkojmë drejt integrimit apo do të ulemi në kolltukë për të vendnumëruar dhe ta bëjmë si ajo porosia e Gjergj Fishtës që thotë: A i kishte mytesarifi Arifi kësulën qyp apo mullar!? Për këtë të dytën le të ndalen ata që mendojnë për vendnumëro dhe le të shohin se si e ka mytesarifi kësulën “qyp apo mullar”? Ne e kemi ndarë mendjen se ardhmëria e vendit tonë është Bashkimi Europian, nuk ka filozofi dhe teori tjetër që mund ta vërtetojë të kundërtën”, tha Ahmeti.

Edhe liderët e Koalicionit VLEN kanë vazhduar fushatën për zgjedhjet kuvendare. Kandidati për deputet dhe bartësi në njësinë zgjedhore numër një nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti sot tha se njëri nga pikat e koalicionit është orientimi europian i qeverisë.

“Një nga pikat kryesore e VLEN-it është orientimi europian i qeverisë, prandaj nuk duhet me çdo kusht të jemi pjesë e një qeveri e cila nuk e ka të qartë qëndrimet europiane dhe strukturave euroatlantike”, tha Mexhiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat