Vazhdon fushata për zgjedhjet kuvendare, çfarë premtojnë kandidatët për deputetë

Maqedonia

Vazhdon fushata për zgjedhjet kuvendare, çfarë premtojnë kandidatët për deputetë

Më: 30 prill 2024 Në ora: 22:57
Foto ilustrim

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.

Koalicioni “Për ardhmëri europiane” i udhëhequr nga LSDM ka qëndruar në Aerodrom të Shkupit, prej ku Dimitar Kovaçevski tha se partia e tij nuk pranon kurrëfarë kushtëzime.

“LSDM nuk pranon asnjë kusht dhe nuk do të bëjë marrëveshje politike me askënd, veçanërisht jo me dikë që tashmë ia ka shitur kundërshtarit tonë politik dhe duhet të shkruaj letra për të arsyetuar largimin e tij dhe koalicionin e tij me kundërshtarin tonë politik. Kjo është një çështje e së ardhmes së shtetit dhe nuk ka tregti me të. Jemi të fokusuar në arritjen e rezultatit më të mirë në zgjedhjet e ardhshme të 8 majit dhe bëjmë thirrje për mobilizimin e të gjitha forcave demokratike dhe progresive për të parandaluar rikthimin e regjimit të OBRM-PDUKM-së”, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski.

OBRM-PDUKM shpalosi programin para banorëve të Kumanovës. Numri “një” i kësaj partie Hristijan Mickoski u zotua se partia që drejton ai, do ta ndryshojnë imazhin e vendit. Ndërsa pas rënies së kësaj qeverie, Mickoski tha se kundërshtarët e tij do të ballafaqohen me përgjegjësi.

“Paratë që i vodhën nga populli, paratë e tendereve, paratë e marrëveshjeve në katër sy. Ato para do të duhet që t’ia kthejnë mbrapa popullit, ndërsa ata të japin përgjegjësi. Do të japin përgjegjësi edhe për atë që Maqedoninë e prunë buzë varfërisë”, tha Hristijan Mickoski.

“Fronti Europian” fushatën sot e ka vazhduar në Çair. Prej atje kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha se koalicioni i tij doli fitues më 24 prill dhe se do të fitojë edhe më 8 maj.“Do të doja të ndaj gëzimin me ju sepse ju keni qenë ata të parët, digat të cilët kemi grumbulluar, kemi mbledhur të gjithë nektarin që ne i tërë Fronti të dal fitimtarë më 24 prill. Kush ka vesh dëgjoni, më 24 prill verdiktin populli e dha, të tjerat janë përalla me mbret. Në Qeveri të çon populli dhe nga Qeveria të rrëzon populli, më 8 maj është Referendumi, të bëhet hapi i madh drejt tij dhe ju përsëri do të jeni diga e parë që do të përballeni që të dalim faqebardh dhe krenar. Ky Referendum ka numrin 4. Do të doja të ndaj sot një gëzim që e përjetova në Karshiakë, vizitova një fabrikë që prodhonte vegla për infrastrukturë e kuzhinë, kur isha për herë të parë dhe sot kur isha më tha e ke këmbën e mbarë, se sot kishin 60 punëtor dhe prodhonin vetëm për Europë, atëherë vetëm për tregun vendor dhe sot me shumë kërkesa dhe këtu lidhet edhe politika dhe gjeostrategjia e Frontit Europian”, tha Ahmeti.

Koalicioni VLEN vazhdon fushatën duke realizuar takime direkte me qytetarët duke ua prezantuar programin e tyre. Izet Mexhiti gjatë vizitës në tregun e gjelbër deklaroi se po procesohen të gjitha keqpërdorimet zgjedhore që po bëhen nga ana e Frontit Evropian, duke nënvizuar se pas procesimit do të ketë përgjegjësi.

“Qëndrimi jonë është se do të jemi pjesë e qeverisë, të një qeverie e cila do të jetë e orientuar drejt integrimeve europiane, do të jemi faktor që do të kontribuojë në këtë drejtim, me që tash jemi të fokusuar në kontakte me votuesin, këto do të jenë tema kur do të ulemi dhe të bisedojmë programin e qeverisë”, tha mes tjerash Mexhiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat