Mungesa e pasaportave të reja: Sytë kah Shqipëria dhe Mali e Zi për pushime

Maqedonia

Mungesa e pasaportave të reja: Sytë kah Shqipëria dhe Mali e Zi për pushime

Më: 4 maj 2024 Në ora: 18:21
Foto ilustrim

Mile Jovanovski me dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, këtë vit pushimet verore do t’i kalojnë në Shqipëri. Këtë vendim e ka marrë pasi, siç thotë ai, ka kosto të lartë që të gjithë përnjëherë t’i ndryshojnë dokumentet për udhëtim me emrin e ri të shtetit, Maqedoni e Veriut.

“Nuk kam pasaportë, ndryshe zakonisht kemi shkuar për pushime në Greqi, por pasi bisedova me bashkëshorten, ramë dakord që pushimet këtë verë t’i bëjmë në Shqipëri. Për të nxjerrë katër pasaporta të reja me procedurë të shpejtuar, do të na nevojiten më shumë se 400 euro, ndërkohë që nuk ka terminë të lirë për të nxjerrë pasaportën me procedurë të rregullt”, thotë Mile Jovanovski.

Ndërsa, Daria dhe Ilinka, që të dyja studente, thonë se nuk do të shkojnë askund, apo mbase ca ditë në Ohër sepse nuk kanë pasaportë.

“Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten si opsion pasi mund të udhëtohet atje me letërnjoftim”, thotë Daria.

Derisa Roza Dimitrievska thotë se do të shkojë te djali në Maltë dhe për këtë është kujdesur që në vitin e kaluar të pajiset me pasaportën e re.

“Do të shkoj në Maltë te djali, i cili tashmë disa vite jeton atje me familjen. Për të qenë afër tij, sapo filluan të jepen pasaportat me emrin e ri të shtetit, aplikova për ta marrë pasaportën e re ndryshe do të isha e bllokuar”, tregon Roza Dimitrievska.

Ndërsa operatorët turistikë vërejnë një rritje të interesit për Shqipërinë dhe Malin e Zi, për shkak të mundësisë së udhëtimit me letërnjoftim. Megjithatë, çmimet në qendra turistike janë rritur për shkak të mungesës së dokumenteve të udhëtimit. Gjithashtu, numri i turistëve të huaj po rritet, veçanërisht ata që vijnë me charter nga vendet skandinave dhe fqinjët e Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat