Fronti Europian, VLEN ,ZNAM: Qytetarët të votojnë sipas vullnetit të lirë për zgjedhjet presidenciale

Maqedonia

Fronti Europian, VLEN ,ZNAM: Qytetarët të votojnë sipas vullnetit të lirë për zgjedhjet presidenciale

Më: 6 maj 2024 Në ora: 17:08
Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova

Një ditë para se të fillojë heshtja zgjedhore, ty taboret shqiptare VLEN dhe Fronti Europian nuk kanë bërë thirrje deri te mbështetësit e tyre nëse duhet të mbështesin njërin prej kandidatëve për president në rrethin e dytë. Këtë nuk e bën as Maksim Dimitrievski nga Lëvizja Znam. Asnjëra prej tyre, nuk do të mbështesin publikisht as Stevo Pendarovskin e as Gordana Siljanovska Davkovën. Thonë që qytetarët duhet të vendosin sipas bindjes së tyre të lirë. Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, thotë se nuk është mirë të bojkotohen zgjedhjet presidenciale nga shqiptarët, por të votohet kandidati që mendojnë se është më i mirë.

“Edhe për kandidat për president nuk prejudikojmë, nuk është mirë të bojkotohen por të votojnë kandidatin që secili votues mendon se është më i miri”, tha Izet Mexhiti nga VLEN.

I të njejtit mendim është edhe Arbër Ademi nga Fronti Europian. Thotë se Fronti Europian nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk do të kërkojnë mbështetje për asnjërin prej kandidatëve. Njofton se mbështetje nuk kanë kërkuar as vet partitë politike maqedonase të cilat garojnë në zgjedhje presidenciale.

“Fronti Europian nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket zgjedhjeve presidenciale. Është në të drejtën e qytetarëve të vendosin se si do të sillen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Janë të lirë, në bazë të vullnetit të tyre të lirë, ata duhet të vendosin se si do të sillen”, theksoi Arbër Ademi nga Fronti Europian.

Mbështetje për asnjërin prej kandidatëve nuk kërkon as Maksim Dimitrievski.

“Ne jemi parti demokratike dhe në përputhje me demokracinë e tillë e cila mbizotëron në parti, thërras qytetarët që sipas bindjes së tyre të vendosin për atë kandidat për të cilin mendojnë se duhet ta japin mbështetjen e tyre por ajo që është prioritet për Maqedoninë në këtë moment, me qëllim që të shmangim çfarëdolloj krize politike, Maqedonia duhet të zgjedhë president të shtetit dhe për këtë thërras për dalje sa më masive, edhe për zgjedhjet presidenciale edhe për ato parlamentare”, theksoi Maksim Dimitrievski nga ZNAM.

Në zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen bashkë me ato parlamentare më 8 maj, në garë janë Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Gordana Siljanovska Davkova nga OBRM-PDUKM. Kandidatët e Frontit Europian dhe VLEN, Bujar Osmani dhe Arben Taravari nuk arritën që të kalojnë rrethin e parë. Osmani mori 120 mijë vota ndërsa Taravari dhe Dimitrievski morën nga 83 mijë vota secili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat