KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Maqedonia

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Më: 8 maj 2024 Në ora: 07:55 Përditësuar në ora: 06:11 më 09.05.2024
Kuvendi i RMV-së

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka numëruar 96 për qind të votave për zgjedhjet kuvendare, si dhe ka publikuar numrin e mandateve që do të kenë partitë dhe koalicionet në përbërjen e radhës të Kuvendit.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga 120 ulëse në Kuvend, më shumë ka siguruar OBRM-PDUKM-ja e cila do të ketë 59 mandate.

Më pas me 19 mandate është Fronti Europian, i pasuar nga LSDM-ja me 18 mandate.

VLEN, i cili është koalicion i partive opozitare shqiptare ka siguruar 13 mandate, ndërsa në përbërjen e radhës “E Majta” do të përfaqësohet me 6 deputetë. Gjithashtu Lëvizja “ZNAM” do të ketë 5 deputetë.

Numërohen mbi 95 për qind e votave

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka numëruar 95 për qind të votave për zgjedhjet kuvendare.

Prej tyre partia që më shumë ka marrë vota dhe mandate është OBRM-PDUKM-ja, e cila ka siguruar 406.239 vota ose 59 mandate.

Më pas partia e dytë në kampin maqedonas është LSDM, e cila ka marrë 143.267 vota, ose 18 mandate.

Në bllokun shqiptar Fronti Europian ka marrë 132.089 vota, ndërsa me këto vota ka siguruar 19 mandate. Koalicioni VLEN ka marrë 102.863 vota ose 13 mandate.

Dy partitë tjera që kanë siguruar mandate në Kuvend janë “E Majta” e cila ka 6 mandate dhe Lëvizja “ZNAM” e cila ka 5 mandate.

​Mickoski nga VMRO-DPMNE: S’ka negociata me BDI për qeverinë e re

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickoski, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, paralajmëroi negociata me të gjitha partitë politike opozitare, edhe pse sipas tij kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Mickoski me këtë rast la të kuptohet se pavarësisht numrit të mandateve që ka fituar BDI-ja, kjo e fundit nuk është në agjendën e VMRO-DPMNE-s.

“Nuk do t’i përsëris gabimet që i ka bërë kjo qeveri e cila injoronte partitë tjera politike. Ne kemi për qëllim që të bisedojmë me të gjitha partitë politike opozitare. Por kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, tha Mickoski.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor deri më tani ka numëruar 90.40 për qind të votave për zgjedhjet e sotme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Fronti Evropian ka 14.09 për qind ose 127.596 vota, ose aktualisht 18 mandate, ndërsa VLEN, ka 10.99 për qind ose 99.534 vota që i siguron aktualisht 13 ulëse. Diferenca në vota është 28.062. Prin koalicioni “Maqedonia jote- VMRO-DPMNE” me 43.09 për qind ose 390.345 vota që i sigurojnë aktualisht 59 mandate. Ndërsa koalicioni për të ardhmen evropiane - LSDM ka 15.10 për qind ose 136.748 vota ose 19 mandate.

Ndryshe, Bilall Kasami nga VLEN ka bërë të ditur se nesër nisin negociatat për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut ndërmjet VMRO DPMNE dhe koalicionit VLEN. 

​Numërohen 90.40% e votave, Fronti Evropian prin para VLEN-it

Komisioni Shtetëror Zgjedhor deri më tani ka numëruar 90.40 për qind të votave për zgjedhjet e sotme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Koalicioni Fronti Evropian vazhdon të prijë ndaj koalicionit VLEN. Fronti Evropian ka 14.09 për qind ose 127.596 vota, ose aktualisht 18 mandate, ndërsa VLEN, ka 10.99 për qind ose 99.534 vota që i siguron aktualisht 13 ulëse. Diferenca në vota është 28.062.

Prin koalicioni “Maqedonia jote- VMRO-DPMNE” me 43.09 për qind ose 390.345 vota që i sigurojnë aktualisht 59 mandate. Ndërsa koalicioni për të ardhmen evropiane - LSDM ka 15.10 për qind ose 136.748 vota ose 19 mandate.

​Ali Ahmeti: Fronti Evropian siguron 19 mandate, VMRO ndihmoi VLEN-in

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi sonte se Fronti Evropian është forca e dytë politike në Maqedoninë e Veriut dhe se do të ketë 19 mandate.

Në një konferencë për media, Ahmeti tha se BDI-ja oponent në këto zgjedhje kishte VMRO-në pasi ajo ka ndihmuar koalicionin tjetër shqiptar VLEN.

“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokratike, standard të cilin duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do të doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar.

Të gjithë këta aktivistë na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit janë për anëtarësim të pa kompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.

​Mandatet që pritet të kenë partitë në Kuvendin e ri të Maqedonisë

Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, VMRO DPMNE del të jetë partia e parë në Maqedoninë e Veriut me 42.75%, dhe e cila pritet të ketë 59 mandate në Kuvend.

E dyta në zgjedhjet e sotme parlamentare pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian me 14.42%, me 19 ulëse.

Pason koalicioni VLEN me 11.38% dhe pritet të ketë 13 ulëse në Kuvend.

LSDM, deri më tani ka 14.67% dhe pritet të ketë 18 ulëse në Kuvend.

​Numërohen 81.27% e votave, rezultatet aktuale parlamentare në Maqedoni

Nga 81.27 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor deri më tani në zgjedhjet e sotme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Fronti Evropian prin ndaj VLEN.

Fronti Evropian ka 14.38 për qind ose 116.500 vota, ndërsa VLEN, aktualisht ka 11.32 për qind ose 91.713 vota. Diferenca në vota është 25.787.

Prin koalicioni “Maqedonia jote- VMRO-DPMNE” me 42.80 për qind ose 346.802 vota. Ndërsa koalicioni për të ardhmen evropiane - LSDM ka 14.73 për qind ose 119.330 vota.

Kovaçevski: Rezultatet e LSDM-së zhgënjyese, morëm goditje të fortë

Lideri i LSDM-së gjatë paraqitjes së parë pas përfundimit të zgjedhjeve, pranoi se partia që drejtohej nga ai përjetoi goditje të fortë në këto zgjedhje, duke i quajtur zhgënjyese rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit.

Ai tha se nuk do të merr vendime të përshpejtuara duke u bërë thirrje organeve partiake që të nisin zgjedhje brendapartiake në nivelin lokal dhe qendror. Ai gjithashtu tha se duhet të mbahet edhe Kongresi i Llogaridhënies.

Ai paralajmëroi se nis procesi I ripërtrirjes së partisë duke bërë analiza për qeverisjen 7-vjecare vecanërisht në katër vitet e fundit, që sipas tij, sollën realitetin e sotëm politik të kësaj partie.

Kovacevski tha se dështuan përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për ta paraqitur LSDM-në si nismëtare për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale. Sipas tij, LSDM-ja arriti ta përmbush cenzusin presidencial.

Kasami: VLEN është fitues absolut te shqiptarët

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas shpalljes së rezultateve të para për zgjedhjet kuvendare, ka thënë Koalicioni VLEN është fitues absolut tek shqiptarët.

Ai deklaroi se “që nesër mund ta shpallin koalicionin me OBRM-PDUKM-në”, të cilin ai e quajti koalicion i ndryshimit.

“Në këtë atmosferë impozante shpallim fitore në kampin politik shqiptar. Koalicioni VLEN është është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve dhe për këtë falënderojmë diasporën të cilët erdhën për të votuar ndryshimin, falë tyre…edhe një herë ata treguan se në vendlindjen e tyre ata janë faktor ndërkombëtar dhe në këtë rast ne i falënderojmë nga zemra për çdo votë të marrë. 100 mijë herë faleminderit diasporë”, tha Kasami.

Ndryshe, nga 76 për qind të votave numëruara, Fronti Europian ka marrë 108.114 vota, ndërsa koalicioni VLEN ka marrë 86.375 vota.

​Numërohen 72.21% e votave, rezultatet aktuale parlamentare në Maqedoni

Nga 72.21 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor deri më tani në zgjedhjet e sotme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Fronti Evropian prin ndaj VLEN.

Fronti Evropian ka 14.95 për qind të votave ose 21.471 vota më shumë se VLEN, i cili aktualisht ka 11.94 për qind.

Prin koalicioni “Maqedonia jote- VMRO-DPMNE” me 42.07 për qind. Ndërsa koalicioni për të ardhmen evropiane - LSDM ka 14.36 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat