Njofton KSHZ: Janë dorëzuar 17 ankesa për zgjedhjet kuvendare

Maqedonia

Njofton KSHZ: Janë dorëzuar 17 ankesa për zgjedhjet kuvendare

Më: 10 maj 2024 Në ora: 22:52
Foto ilustrim

Deri më tani, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka pranuar 17 ankesa për zgjedhjet kuvendare që kanë të bëjnë me procedurën e përmbledhjes së rezultateve dhe asnjë për zgjedhjet presidenciale.

“Kundërshtime për procedurën e përmbledhjes së rezultateve për zgjedhjet parlamentare ka paraqitur koalicioni VLEN – 9 dhe koalicioni “Tvoja Makedonija” – 8. Nuk ka vërejtje për procedurën e përmbledhjes së rezultateve për zgjedhjet presidenciale”, tha zëdhënësja e KSHZ-së, Radica Todorovska-Aleksovska.

Afatet për paraqitjen e ankesave për përmbledhjen e rezultateve për zgjedhjet presidenciale janë deri në orën 22:30 dhe deri në orën 23:30 për zgjedhjet kuvendare.

Më herët, në orën 19:00 kanë skaduar afatet për ushtrimin e të drejtës së votës, por nuk ka pasur kundërshtime.

Ndërkohë, KSHZ për nesër (11 maj) ka caktuar seancë për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale.

Nëse nuk paraqiten kundërshtime për përmbledhjen e rezultateve, gjë që nuk pritet të ndodhë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do t’ia dorëzojë Kuvendit raportin nga seanca e nesërme.

Nga zyra e kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, njoftuan se pas marrjes së raportit, seanca parlamentare për inaugurimin e kryetares së re, Gordana Siljnovska Davkova, do të caktohet të dielën (12 maj).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat