Maqedoni e Veriut, bisedimet për koalicionin qeveritar

Maqedonia

Maqedoni e Veriut, bisedimet për koalicionin qeveritar

Më: 11 maj 2024 Në ora: 19:54
VMRO-VLEN

Drejtuesit e VMRO-DPMNE-së dhe të koalicionit VLEN u takuan të shtunën për të biseduar lidhur me kabinetin e ardhshëm qeveritar. VMRO-ja tha pas takimit se bashkëpunimi do të mbështetet në tre postulate: integrimet europiane, zhvillimi i shpejtë ekonomik, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

Dy palët do të formojnë grupe pune për zhvillimin e bisedimeve deri në përfundimin e tyre. Në takimin e së shtunës ishin të pranishëm Hrisjtijan Mickovki i VMRO-së me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe nga koalicioni i partive shqiptare, Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi. Sipas një njoftimi të VMRO-së, në takim është diskutuar edhe për nivelin e përfaqësimit gjatë bisedimeve të ardhshme.

Zoti Mickovski e shikon koalicionin VLEN si një partner të besueshëm në qeverinë e re. Ai pret, nga ana tjetër që numri i ligjvënësve të shumicës së ardhshme parlamentare të arrijë në 61.

Zyrtarë të VLEN-it, ndërkohë kanë thënë se ka disa individë nga koalicioni Fronti Evropian, të cilat kanë fituar postet e ligjvënësve në zgjedhjet e 8 majit e që duan t’i bashkohen koalicionit të ri qeveritar. Në një rast të tillë vetëm VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN do të kishin 74 ose 75 deputetë. 61 ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh mjaftojnë për miratimin e qeverisë së këtij vendi.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Fronti Evropian akuzojnë koalicionin opozitar VLEN dhe VMRO-DPMNE-në se po përipiqen të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve në zonat 5 dhe 6 në perëndim dhe jugperëndim të vendit.

Arbër Ademi i BDI-së u tha gazetarëve se VLEN-i me VMRO-në dhe disa parti të tjera kanë paraqitur ankesa tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për parregullsi të procesit të votimit në 120 vend-votime në zonën e gjashtë dhe të pestë, që përfshijnë Tetovën e Strugën.

“Në këto qendra votimi nuk ka pasur ankesa gjatë procesit të votimit dhe pas tij”, theksoi zoti Ademi. Sipas tij, opozita aktuale po bën shpik mënyra për të përsëritur votimin në këto qendra, edhepse VLEN kishte marrë më tepër vota, si bie fjala në një fshat të komunës së Zhelinës, pranë Tetovës, që është vendlindja e kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Koalicioni i Frontit Evropian shqetësohet se në rast të miratimit të rivotimit mund të humbasë dy deputetë.

Ky koalicion ka njoftuar komunitetin ndërkombëtar për një “skenar të errët për të devijuar vullnetin e popullit dhe legjitimitetin”, siç u shpreh ligjvënësi i BDI-së, Arbër Ademi.

Koalicioni VLEN ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja përmes një komunikate thekson se nuk nuk u trembet kërcënimeve të BDI-së teksa i bën thirrje partisë shqipatre të përfshihet në proceset demokratike të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat