​BE shpreh keqardhje që Davkova nuk e përdori emrin kushtetues gjatë betimit

Maqedonia

​BE shpreh keqardhje që Davkova nuk e përdori emrin kushtetues gjatë betimit

Më: 12 maj 2024 Në ora: 20:15
Gordana Silanovska-Davkova

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje që Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit të saj gjatë betimit si presidente e re e Maqedonisë së Veriut në një ceremoni parlamentare sot në Kuvend.

Zëdhënësja e BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Nabila Massrali, tha në një komunikatë të dielën në rrjetin social X, se BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, duke përfshirë atë të Prespës me Greqinë.

“BE shpreh keqardhje për faktin që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, presidentja Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së betimit të sotëm. BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, ka thënë Massrali.

Duke injoruar shqiptimin e drejtë të emrit të ri të shtetit, presidentja e gjashtë e Maqedonisë së Veriut dhe presidentja e parë grua, Gordana Silanovska-Davkova bëri sot betimin solemn para deputetëve, korit diplomatik, përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore, por edhe krerëve të komuniteteve fetare.

Gordana Silanovska-Davkova fitoi në zgjedhjet presidenciale të 8 majit ku në raundin e dytë për kundërkandidat kishte presidentin e deritanishëm Stevo Pendarovski nga radhët e LDSM-së.

Në fjalimin e saj, i cili zgjati rreth 17 minuta, ajo fillimisht u betua se do të jetë presidente për të gjithë, pa dallim përkatësisë së tyre në çfarëdo lloj baze.

“Deklaroj se funksionin president i Maqedonisë. Do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi”, tha Gordana Siljanovska-Davkova në betimin e presidentes së shtetit, pa e përmendur emrin kushtetues.

Athina zyrtare tha dje se shpreson që udhëheqja e re e Maqedonisë Veriore t’iu përmbahet dispozitave të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës me të cilën shteti ndryshoi emrin nga Maqedonia në Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja e Prespës, u arrit më 17 qershor 2018 për të zgjidhur konfliktin rreth emrit të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë kështu mosmarrëveshjes gati tre dekadash me Greqinë. VMRO DPMNE derisa ishte në opozitë ishte deklaruar kundër zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat