Maqedonia vazhdon të ketë shkallë të inflacionit që akoma nuk po qetësojnë opinionin, qytetarët dhe ekzekutivin. Edhe pse ajo po zvogëlohet në raport me më parë, trendet akoma po brengosin konsumatorët. Ekonomia e Maqedonisë u ndikua nga inflacioni i lartë në periudhën pas Covid-it dhe kriza ekonomike dhe energjetike. Inflacioni në vend arriti pothuajse 20 për qind në fund të vitit 2022.Në vitin 2023, ulja e inflacionit, nga janari në nëntor, ishte mbi 9 për qind, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave.
Në gjashtë muajt e kaluar ai ka lëvizur prej 3 deri në 4 për qind. Apo në mars dhe prill ishte 4 për qind, në shkurt ishte 3 për qind dhe në janar ishte 3.2 për qind. Në dy muajt e fundit të vitit të kaluar akoma ishte më i lartë se 3 për qind, me një shkallë prej 3.6 për qind në dhjetor dhe 3.1 për qind në nëntor 2023. Edhe krahasimet e kësaj periudhe të vitit në raport me vitin e kaluar tregojnë se shtrenjtimet nuk kanë të ndalur.
Sipas Entit të Statistikës, në prill të këtij viti, kostoja e jetesës së qytetarëve është rritur për katër për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Enti Shtetëror i Statistikave në raportin e fundit tregon se rritja e inflacionit është më e theksuar në shërbimet shëndetësore dhe hotelerike, në kostot e ushqimeve dhe pijeve alkoolike.
Sa i përket ushqimit, të dhënat tregojnë se në një vit më së shumti janë rritur çmimet e frutave me afër 27 për qind dhe perimeve me afër 13 për qind , pasuar nga sheqer, mjaltë, reçel, çokollata me afër 7 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 3.2 për qind, mishi me 0.9 për qind dhe buka dhe drithëra me afër 5 për qind.
Njëherësh inflacioni i matur përmes indeksit të kostos së jetesës në muajin prill krahasuar me muajin mars ishte 0.7 për qind, ndërsa çmimet me pakicë u rritën për 1.1 për qind, tregojnë të dhënat e Entit të Statistikave.Krahasuar me prillin e vitit të kaluar, kostoja e jetesës është rritur për katër për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 3.5 për qind.
Ekspertët e ekonomisë thonë se edhe parashikimet e institucioneve vendore dhe të jashtme financiare ishin se edhe sivjet do të kemi telashe për të zvogëluar inflacionin dhe mbajtur çmimet nën kontroll.
Eksperti ekonomik Nertitan Turkeshi, thotë se përkundër asaj se inflacioni nuk do të jetë i lartë si në vitin si në vitin 2023, megjithatë mbetet sfida e shtetit për të stabilizuar rritjen e çmimeve. Sipas tij, si duket ekzekutivi i ri do të duhet të ndërmarrë masa të reja për shkak se një muaj pas skadimit të masës për ngrirjen e çmimeve, inflacioni ka filluar sërish të rritet dhe qeveria e re duhet ta ketë parasysh menjëherë këtë, sepse në të kundërt do të vazhdojë të rritet.
“Njëherësh po shohim që situata nuk po qetësohet me veprimet ushtarake në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, po prishen zinxhirët e furnizimit të korporatave të mëdha dhe e gjithë ajo pasiguri po transferohet në ekonominë e Maqedonisë, sepse ne jemi një ekonomi e vogël dhe e hapur, si dhe e lidhur me trendet në ekonominë botërore. Nëse i kthehemi vetëm zhvillimeve ekonomike që mund të mbështesin rritjen e inflacionit në vend, atëherë edhe premtimet për rritje të pagave dhe pensioneve kanë ndikim në inflacion, sepse ushqejnë pritshmëritë e qytetarëve se do të mund të shpenzojnë më shumë. Politikbërja e re do të duhet të merr parasysh edhe masa për kufizimin e çmimeve me qëllim kontrollin e çmimeve dhe marzhet tregtare”, konstaton Turkeshi.
Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, vlerësoi të hënën se ende nuk ka korrigjime të dukshme në rënie të çmimeve të ushqimeve në vend. Nëse krahasoni nivelin e çmimeve të ushqimeve me periudhën para pandemisë, ato janë, theksoi ajo, pothuajse dy herë më të larta se niveli i çmimeve botërore të ushqimeve.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të projeksioneve të fundit makroekonomike, Angelovska-Bezhoska theksoi se është pozitive që, sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, këtë vit parashikohet një rënie e mëtejshme e çmimeve të ushqimeve dhe stabilizim i nivelit të tyre vitin e ardhshëm, gjë që lë hapësirë për korrigjime të caktuara poshtë.
“Nëse shikoni lëvizjen e çmimeve botërore të ushqimeve nga mesi i vitit 2022, ka një rënie pothuajse të vazhdueshme, por sipas të dhënave më të fundit, ato nuk janë kthyer ende në nivelin para pandemisë dhe janë më të larta rreth 17-18. për qind. Nëse i krahasojmë këto prirje me tendencat në ekonominë vendase, mund të konkludojmë se ato nuk janë plotësisht të sinkronizuara. Në vendin tonë, rritja e çmimeve të ushqimeve filloi më vonë se rritja e çmimeve botërore të ushqimeve dhe ende nuk shohim rregullime të dukshme në rënie të çmimeve të ushqimeve”, tha Angellovska-Bezhoska. Ajo kujtoi se politika e çmimeve përcaktohet nga disa faktorë.
Rritja e inflacionit prej 3 për qind në vitin 2024 dhe kthim në mesataren afatgjatë të vendit prej 2 për qind në periudhën 2025-2026, parashikon Banka Botërore (BB) për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut. Në prezantimin para një muajit të Raportit të rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, u theksua se rrezik është rritja e pagave, të cilat nuk janë në përputhje me produktivitetin dhe kjo është diçka që mund ta mbajë inflacionin në nivele të rritura këtë vit.
Dhoma e Agro Biznesit pranë Lidhjes së Odave ekonomike siguron se në periudhën në vijim do të ketë stabilizim të çmimit të produkteve ushqimore. Çmimet e lëndëve të para në bursat botërore nuk kanë luhatje të mëdha. Por presionet për çmimin përfundimtar, tani vijnë nga faktorët e tjerë si ikja e fuqisë punëtore jashtë shtetit, si dhe problemeve me disponimin me para të gatshme nga ana e biznesit dhe kostos së lartë për huamarrje në banka.