IRI: 68% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbështesin anëtarësimin në BE

Maqedonia

IRI: 68% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbështesin anëtarësimin në BE

Më: 14 maj 2024 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Vendet e mbuluara nga sondazhi ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Në pyetjen se a do e mbështesnin anëtarësimin në BE nëse një referendum do të mbahej sot, siç thuhet në sondazhin e IRI-it, shumica dërmuese në pesë nga gjashtë vendet u përgjigjën që do të votonin për t’iu bashkuar aleancës, duke filluar me 68% në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje-Hercegovinë deri në 92% në Shqipëri. Në Serbi, një shumësi prej 40% mbështesin anëtarësimin në BE.

“Ekziston një dëshirë e madhe në të gjithë Ballkanin për t’i forcuar lidhjet ekonomike me vendet perëndimore dhe për t’u anëtarësuar në BE”, deklaroi Paul McCarthy, Drejtor për Evropën në IRI.

Kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit në të gjithë rajonin besojnë se integrimi i mëtejshëm me Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e prosperitetit të qëndrueshëm.

Në të vërtetë, çështjet ekonomike dominojnë prioritetet e qytetarëve për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Përveç Shqipërisë, ku papunësia ishte çështja kryesore, çmimet e larta dhe kostoja e jetesës ishin shqetësimi më i madh për qytetarët në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të gjashtë vendet, korrupsioni u shfaq si një çështje me prioritet të lartë.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica në pesë nga gjashtë vendet e anketuara besojnë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është plotësisht ose disi e pajustifikuar. Në Serbi, megjithatë, një shumësi prej 49% mendojnë se Rusia është plotësisht ose disi e justifikuar.

McCarthy thotë se këto shifra janë kryesisht pozitive, përgjigjet nga Serbia janë shqetësuese.

“Nëse paqja dhe siguria janë objektivat afatgjata në Ballkan, alternativa më e mirë për Serbinë është të refuzojë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të forta me Perëndimin”, shtoi McCarthy.

Sondazhi u krye nga Ipsos në emër të Qendrës për Vështrime në Hulumtimet e Anketave në kuadër të IRI nga 2 shkurti deri më 5 mars 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat