Pa vullnet politik nuk mund të ketë reforma në gjyqësor, rrjedhimisht sundim të ligjit dhe luftë kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar shtyllat kryesore të Qeverisë së re që pritet të formohet nga OBRM-PDUKM-ja, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit dhe koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti politike shqiptare.
“Lufta e pakompromis dhe e vendosur kundër korrupsionit dhe reduktimi i burokracisë së gjerë janë sfidat kryesore, sepse besojmë fort se drejtësia në shoqëri është parakusht themelor për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Koalicioni do të iniciojë dhe mbështesë veprimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit për të kthyer besimin e lëkundur të qytetarëve në institucione”, thuhet në programin zgjedhor të OBRM-PDUKM-së.
Edhe koalicioni VLEN prioritet ka këto çështje, që sipas drejtuesve të tij, janë pengesë kryesore për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Angel Ristov, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit, thotë se këto premtime janë dhënë në vazhdimësi nga partitë politike para formimit të qeverive të reja, por, sipas tij, që kjo të ndodhë së pari nevojitet vullnet politik.
“Ne në vazhdimësi flasim për sundimin e së drejtës, ndërsa në anën tjetër kemi sundim të grupeve politike, të cilat shtrijnë ndikimin e tyre në sistemin e drejtësisë. Kjo do të thotë se nevojitet vullnet i fuqishëm për luftimin e kësaj dukurie. Kjo mund të arrihet përmes reformave serioze për të eliminuar ndikimin e partive ndaj gjyqësorit. Emërimet duhet të kenë për bazë profesionalizmin dhe jo politikën, dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse përzgjedhja bëhet nga vetë gjykatësit dhe jo nga partitë”, vlerëson Ristov.
Qeveria e re, jo vetëm që duhet të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por është e detyruar që të bëjë një gjë të tillë pasi shteti është zhytur në borxhe të mëdha si pasojë e keqpërdorimeve të shumta që janë bërë, thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.
Ai thotë për “Radion Evropa e Lirë” se institucionet duhet t’i nënshtrohen një “rëntgeni” të fuqishëm dhe për të gjithë shkelësit të ketë jo vetëm përgjegjësi, por edhe t’i kthejnë paratë e keqpërdorura.
“Duhet të bëhet një analizë e detajuar, të bëhet një revidim i të gjitha faturave apo shpenzimeve që kanë bërë institucionet dhe në bazë të provave, aty ku ka shkelje, të vazhdohet me procedimin e mëtejmë të tyre. Kjo nuk mund të bëhet në mënyrë selektive, por të gjitha institucionet të futen në një rëntgen dhe të shihet pasojat, se sa është dëmtuar buxheti dhe institucionet e shtetit dëmtuar dhe të ketë jo vetëm përgjegjësi penale, por edhe të gjitha mjetet të kthehen”, konsideron Selmani.
Ndërkohë, profesori Angel Ristov, thotë se me rëndësi është që ligjet në Kuvend të mos miratohen pa konsultim me ekspertët pasi, sipas tij, praktika e deritashme ka treguar se aktet ligjore në të shumtën e rasteve nuk janë miratuar që t’u shërbejnë qytetarëve, por grupeve të caktuara politike apo bizneseve të afërta me pushtetin.
“Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar vëmendje e posaçme duhet kushtuar miratimit të ligjeve, përkatësisht përmbajtjes së tyre. Ligjet duhet miratuar pas një konsultimi të gjerë me ekspertët dhe jo të bëhen bazuar në interesat e politikës ditore pasi jemi dëshmitarë të rritjes së pakënaqësisë së qytetarëve, të cilët përballen me probleme të shumta gjatë realizimit të të drejtave të tyre më elementare”, thotë ai.
Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është ndër më të kritikuarit nga pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare, nga BE-ja e SHBA-ja, të cilat me ngulm kërkojnë rezultate në vendosjen e sundimit të ligjit.
Kritikat më të mëdha kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Penal që kanë lënë të lirë dhjetëra ish-zyrtarë të lartë të akuzuar për vepra të rënda penale nga periudha e qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga viti 2006 deri në vitin 2016.
Arsen Janevski, njohës i çështjeve juridike, beson se të ndodhur përballë kritikave të fuqishme nga jashtë, Qeveria doemos duhet të tregojë rezultate në gjyqësor.
“Duhet të presim që të ketë ndryshime. Çdo qeveri ka të përcaktuara prioritetet dhe nuk ka dilema se në pjesën e gjyqësorit dhe organeve gjyqësore duhet të bëhen ndryshime apo reforma. Kemi një gjyqësor joefikas, prandaj kemi kritika nga të gjitha anët. Reformat duhet të përfshijnë ndryshime në mënyrën e përzgjedhjes së Këshillit Gjyqësor që është organi më i lartë gjyqësor në vend, reforma në prokurori dhe në organet e tjera të drejtësisë”, thotë Janevski.