Papunësia dhe jetesa e shtrenjtë janë shqetësimet më të mëdha për qytetarët e RMV-së

Maqedonia

Papunësia dhe jetesa e shtrenjtë janë shqetësimet më të mëdha për qytetarët e RMV-së

Më: 22 maj 2024 Në ora: 19:17
Foto ilustrim

Ekonomia, kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe korrupsioni. Këto janë problemet më shqetësuese për qytetarët e gjashtë shteteve ballkanik tregon sondazhi i fundit i Institutit Republikan Amerikan-IRI. Në të gjitha vendet e Ballkanit, pothuajse 70 për qind e të anketuarve e përshkruan gjendjen e ekonomisë si të keqe ose disi të keqe.

Në pyetjen se cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi ynë sot? Përgjigjet kanë qenë me 31 për qind-ekonomia, kostoja e jetesës, çmime të larta, korrupsioni me 22 për qind, ekonomia – papunësia me 10 për qind, varfëria me 5 për qind, krimi/siguria publike me 4 për qind, pasiguria, kujdesi shëndetësor dhe emigracioni me 3 për qind, ekonomia – mundësitë e biznesit të vogël/qasja në kredi, pensionet dhe situata e përgjithshme politike me 2 për qind etj.

Për pyetjen se cila çështje specifike duhet të jetë prioriteti kryesor për të trajtuar qeveria? Përgjigjet kanë qenë kostoja e jetesës, çmimet e larta, korrupsioni, papunësia, varfëria, kujdesi shëndetësor, siguria publike, emigracioni, pasiguria…Në Maqedoninë e Veriut lidhur me pyetjen se si e vlerësoni gjendjen aktuale ekonomike në amvisërinë e juaj, 5 për qind janë përgjigjur shumë e mirë, 50 për qind janë përgjigjur disi e mirë, 27 për qind janë përgjigjur disi e keqe, 18 për qind janë përgjigjur shumë e keqe.

KORRUPSIONI, PROBLEM I MADH

Përkitazi me pyetjen se në përvojën tuaj, cili lloj i korrupsionit është më i zakonshëm në vend, 26 për qind kanë theksuar vjedhjen ose keqadministrimin e qëllimshëm të fondeve, 25 për qind thonë veprimin në interesin vetjak në vend të interesit të qytetarëve, 17 për qind thonë kërkimi i ryshfeteve ose dhuratave, 12 për qind theksojnë marrjen e vendimeve në bazë të lidhjeve në krahasim me meritat, 10 për qind- dështimi për të hetuar ose ndjekur penalisht keqbërjet, 6 për qind-grabitjet….

Gati një e treta apo 26 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se partitë politike dhe liderët partiak janë autoritetet apo grupet më të korruptuara, ndërsa 23 për qind vlerësojnë se gjyqësori është më i korruptuar. Njëherësh 10 për qind mendojnë se parlamenti por edhe të gjithë janë të korruptuar…

Mbi 80 për qind e të anketuarve në të gjitha vendet besojnë se korrupsioni është një problem serioz. Përgjigjet janë të ndryshme kur u bëhet pyetja – kush është më i korruptuari. Në Maqedoni dhe Kosovë, të anketuarit deklaruan se ishin gjyqësori dhe partitë politike. Për qytetarët e Malit të Zi dhe Serbisë, partitë politike dhe administrata publike janë më të korruptuara. Në Shqipëri, përveç administratës publike, të anketuarit tregojnë kryeministrin dhe kabinetin e tij si më të korruptuarit.

Ka gjithashtu pak besim në vullnetin e gjyqësorit për të luftuar korrupsionin. Në Maqedoni, 76 për qind besojnë se gjyqësorit i mungon vullneti apo dëshira për të luftuar korrupsionin, duke reflektuar skandalet masive që kanë tronditur gjyqësorin në vitet e fundit. Sondazhet e fundit tregojnë se besimi ka rënë në shifra njëshifrore.

HALLE TË NGJASHME

Sondazhi vë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me pengesa të ndryshme për zhvillimin dhe stabilitetin. Ndërsa janë bërë hapa drejt demokracisë, sundimi i brishtë i ligjit, institucionet e dobëta dhe joefikasiteti gjyqësor vazhdojnë, duke penguar llogaridhënien dhe duke nxitur korrupsionin. Ekonomitë në depresion dhe papunësia e lartë nxisin emigracionin e të rinjve, të cilët përkeqësojnë çekuilibrat demografikë duke e shteruar rajonin e fuqisë punëtore të kualifikuar. Nga ana tjetër, kjo nxit tensionet etnike dhe paqëndrueshmërinë politike, duke penguar pajtimin dhe paqen e qëndrueshme.

Një pjesë e madhe e të anketuarve në Mal të Zi (38 për qind), në Maqedoninë e Veriut (31 për qind), në Bosnje e Hercegovinë (29 për qind), në Serbi (28 për qind), në Kosovë (28 për qind) dhe në Shqipëri (22 për qind) mendojnë se kostot e jetesës dhe çmimet e larta janë problemi më i rëndësishëm, me të çilin përballet vendi i tyre. Për Malin e Zi shqetësimi për kostot e jetesës është më shumë se dyfishuar nga viti 2022 (18 pë r qind ), ndërsa shqetësimi për papunësinë (15 për qind) është ulur dy herë.

Papunësia, sipas anketës, është problemi tjetër kryesor me të cilën përballen vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosova (29 për qind) e rendit si shqetësim të parë, ndonëse me një përmirësim të dukshëm nga viti 2022 (46 për qind). Në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi e renditin papunësinë si shqetësimin e dytë më të madh, ndërsa në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, papunësia renditet si shqetësimi i tretë më i madh. Korrupsioni në Maqedoni, renditet si problemi i dytë më i madh, i përkeqësuar me tre herë në krahasim me vitin 2022. Edhe në Serbi korrupsioni është po ashtu shqetësimi i dytë më i madh. Ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë korrupsioni renditet si problemi i tretë më shqetësues nga të anketuarit.

Pjesa dërrmuese, në të 6 vendet pohojnë se korrupsioni është një problem serioz për vendet e tyre: 97 për qind në Shqipëri, 90 për qind në Maqedoninë e Veriut, 89 për qind në Malin e Zi, 88 për qind në Kosovë, 86 për qind në Bosnje e Hercegovinë dhe 83 për qind në Serbi. Të anketuarit në Shqipëri perceptojnë si ndër më të korruptuarit, kryeministrin dhe qeverinë, shërbimet publike, drejtësinë, partitë politike dhe oligarkët, ndërsa në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi më shumë të korruptuar perceptohen partitë politike, shërbimet publike, drejtësia dhe oligarkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat