Seanca konstituive e Kuvendit më 28 maj, do ta udhëheq Merita Koxhaxhiku

Maqedonia

Seanca konstituive e Kuvendit më 28 maj, do ta udhëheq Merita Koxhaxhiku

Më: 23 maj 2024 Në ora: 13:40
Seanca konstituive e Kuvendit

Pas konsultimeve me partitë parlamentare, kryetari Jovan Mitreski do ta caktojë seancën konstituive më 28 maj në orën 11:00. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, sot mbajti takim me përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e sapozgjedhur, në të cilin me konsensus u vendos që seanca konstituive, pas mbajtjes së zgjedhjeve të njëmbëdhjeta parlamentare, të mbahet më 28 maj 2024, e martë, në orën 11:00.

Në përputhje me Rregulloren për punën e Kuvendit, me seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit të ri duhet të kryesojë deputeti më i moshuar. Në përbërjen e sapozgjedhur, ajo është deputetja Merita Kolçi Koxhaxhiku.

“Kryetari Mitreski i informoi të pranishmit se në rendin e ditës së seancës konstituive, sipas Rregullores, do të jenë tri pika, përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, zgjedhja e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat më së shumti tri ditë, ndërsa Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Në takimin e sotëm, morën pjesë Nikolla Miceski nga Koalicioni “Maqedonia jote” – OBRM-PDUKM; Oliver Spasovski nga Koalicioni i LSDM-së; Borisllav Kërmov nga partia “E Majta” dhe Boban Karapejovski nga Lëvizja ZNAM.

Në takim mori pjesë edhe Merita Kolçi Koxhaxhiku, si deputetja më e moshuar, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat