Manfred Weber, lider i grupit të partive Popullore në Parlamentin Evropian (EPP), kërkoi nga OBRM-PDUKM që të përdorë emrin kushtetues të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë e ka theksuar Weber përmes një postimi në rrjetin social “X”.
“Udhëheqja e OBRM-PDUKM-së duhet të respektojë plotësisht dispozitat detyruese të Marrëveshjes së Prespës dhe të përdorë në vazhdimësi emrin “Maqedonia e Veriut”. Respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është një parakusht bazë për ne si PPE. Përndryshe, Evropa nuk mund të funksionojë dhe BE-ja nuk do ta pranojë këtë”, thuhet në postimin e Weber.
OBRM-PDUKM është anëtare e Partisë Popullore Evropiane. EPP është grupi politik më i madh dhe më me ndikim në Bashkimin Evropian dhe pothuajse të gjitha partitë kristiandemokrate nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate janë anëtarë të saj.
Në mars të këtij viti, partia e Hristijan Mickoskit mori pjesë në kongresin e PPE-së që u mbajt në Bukuresht.