Sot, finalja e Eurovizionit 2024 nën hijen e konfliktit në Gaza

Mediale Vip

Sot, finalja e Eurovizionit 2024 nën hijen e konfliktit në Gaza

Më: 11 maj 2024 Në ora: 09:13
Malmo

Sot zhvillohet finalja e 68 e ESC në Malmoe, Suedi. Rreth 26 vende përfaqësohen në garën më të madhe muzikore në botë. Me më shumë shanse deri tani konsiderohej kënga kroate e Baby Lasagna, por pak para finales po përmendet gjithnjë e më shumë edhe kënga izraelite e Eden Golan, përfaqësueses 20-vjeçare nga Izraeli, që ndodhet në vendin e dytë tek këngët me më shumë shanse për fitoren.

Eurovizioni nuk do që të jetë politik, por vetëm një festë e madhe e muzikës. Megjithatë konflikti në Gaza e ka shoqëruar këto ditë këtë festë muzikore. Megjithëse unioni i transmentuesve europianë, EBU përpiqet të pengojë që konflikti në Gaza të hedhë hije mbi muzikën, protestat e kanë shoqëruar këtë eveniment. Eurovizioni 2024 është shoqëruar nga protesta të gjera kundër pjesëmarrjes së Izraelit në garën muzikore.

Mijëra vetë në Malmoe kërkuan këto ditë përjashtimin e Izraelit për shkak të ofensivës në Gaza. Që politika ka pasur efekt në Eurovizion u vu re edhe para dy vjetësh, kur Rusia filloi luftën në Ukrainë. Atëherë fitoi Orkestra Kalush e shoqëruar nga një përkrahje e jashtëzakonshme e publikut. Përfaqësuesit ukrainas e përdorën fitoren për mesazhe politike. Të shtunën policia ndodhet në gjendje të lartë gatishmërie në Malmoe dhe mbështetet nga forca policore nga Danimarka e Norvegjia.

Gjermania kritikon thirrjet për përjashtimin e Izraelit

Qeveria gjermane i ka kritikuar thirrjet për bojkotim të Izraelit nga Eurovizioni. Ministrja e Shtetit për kulturën, Claudia Roth (Të Gjelbrit) i ka quajtur këto thirrje si “absolutisht të papranueshme”.

“Sidomos në këto kohë kemi nevojë për më shumë bashkëpunim kulturor mes Europës dhe Izraelit”, shkroi Roth në platformën X.  duke shtuar se “antisemitizmi, urrejtja dhe dhuna nuk kanë vend në këtë eveniment kaq të rëndësishëm muzikor, po ashtu si racizmi dhe çfarëdolloj forme e armiqësisë ndaj humanitetit”.

Ndërkohë një incident gjatë provave të përgjithshme ka bërë përfaqësuesi i Holandës të përjashtohet edhe nga provat e dyta gjenerale të finales. Shkak për këtë janë hetimet e mëtejshme në lidhje me një incident me muzikantin, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Nuk është e qartë përse bëhet fjalë në këtë incident, mediat suedeze kanë njoftuar për një goditje me shuplakë nga përfaqësuesi i Holandës, dhe ky rast është duke u marrë në shqyrtim.

Shqipëria me këngën “Titan” të Besës nuk arriti të kualifikohej në finale. Gjermania përfaqësohet me Isaak dhe këngën “Always on the run”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat