Jeta e saj personale është përfolur shumë së fundmi, që kur postoi një video të propozimit të saj si në ëndrra.
Balerina e njohur, Isida Mollaymeri, ishte e ftuar në emisionin e pasdites ‘Rudina’, ku ndër të tjera ndau emocionet dhe detajet nga propozimi i saj.
Ajo u shpreh se gjithçka ishte e organizuar dhe ajo nuk ishte në dijeni.
‘Unë shkoj gjithmonë në Panairin e Bolonjës, por rri në Firence, sepse kam më shumë miq atje dhe më pëlqen më shumë si qytet. Mora edhe kushërirën me vete. Ajo bën video, foto dhe i thashë një ditë do ta shfrytëzojmë për foto e video në Toskanë. Unë kam bërë vetëm një video në fillim.’
Ajo tregoi se si kushërira dhe partneri i saj kishin thurur planin e propozimit.
‘Ata kishin folur me njëri-tjetrin dhe kishin bërë komplotin që Isida do të bëjë video dhe ti do të dalësh i veshur.’
Gjithashtu, shtoi se partneri i saj ishte shumë i emocionuar dhe nga emocionet ngatërroi kutinë e unazës, duke e bërë të qeshte me të madhe. Çast që ajo e ka bërë pjesë të videos pasi ishte një kujtim i bukur.
Për sa i përket njohjes së tyre, ajo rrëfeu se janë njohur në Shqipëri dhe është me fat. Ajo shtoi se ata nuk njiheshin me njëri-tjetrin duke e bërë njohjen më normale.
‘Nuk kisha asnjë dyshim për t’i thënë po. Ai është shumë i mirë që më duron mua. Jam e llastuar dhe kam shumë teka.’
Gjithashtu, ajo tha se partneri i saj jeton në Zvicër dhe merret me biznes. E pyetur se ku do të jetojnë në të ardhmen, Isida u shpreh se ende nuk e kanë vendosur nëse ai do të vijë në Shqipëri apo ajo do të shpërngulet në Zvicër.