Madonna dhe i dashuri i saj, trajneri i boksit Josh Popper, janë ndarë.
Sipas mediave të huaja, oraret e çiftit e vështirësuan gjetjen e kohës për njëri-tjetrin, duke çuar në një vendim për të ndarë rrugët.
Një burim i afërt tha për ‘The Sun’ se Madonna, e cila kohët e fundit përfundoi turneun e saj Celebration, “mezi e kishte parë Josh-in për muaj të tërë, sepse orari i saj ishte shumë i ngjeshur”.
“Për momentin marrëdhënia e tyre nuk duket e bukur dhe ata i kanë ftohur gjërat, por janë duke qëndruar miq,” shtoi burimi i brendshëm.
Këngëtarja 65-vjeçare dhe trajneri 30-vjeçar u panë për herë të parë së bashku në mars të vitit 2023 dhe lidhja e tyre u bë kryefjalë për shkak të diferencës së madhe të tyre në moshë.
Më pas, Madonna konfirmoi lidhjen e saj me Popper pasi postoi një foto të tyre së bashku teksa mbanin maska në fytyrë.