Shteret Ibri, Komuna e Mitrovicës e "Ibër Lepenci" akuzojnë njëra-tjetrën

Mitrovica

Shteret Ibri, Komuna e Mitrovicës e "Ibër Lepenci" akuzojnë njëra-tjetrën

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 16:48
Ibri

Komuna e Mitrovicës njofton se sot në orët e hershme të mëngjesit autoritetet komunale janë përballur me ndaljen e rrjedhës së ujit nëpër shtratin e lumit Ibër e cila ka shkaktuar edhe shterjen e lumit.

“Rrezikimi i furnizimit me ujë të pijes për Rajonin e Mitrovicës në këto temperatura të larta, rrezikimi i ekosistemit të lumit Ibër janë alarmuese për ne si institucion i Komunës së Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Komuna e Mitrovices ka kërkuar sqarim dhe sipas informatave nga organet kompetente arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit.

Ndërsa ndryshe mendon kryeshefi i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka.

Ai thotë se disa “zëdhënës” komunal po tentojnë sërish të mbulojnë dështimet, gabimet dhe mospunën e institucioneve komunale.

“Sot përsëri po tentohet që të fajësohet “Ibër-Lepenci” për nivelin e ujit në Liqenin Akumulues, njëjtë sikur me rastin e vërshimeve në Janar kur dëmet ishin milionëshe e arsyeja kryesore ishte mbyllja (e besa edhe saldimi) i portave në liqenin akumulues”, ka shkruar Mujka.

Ai thotë se portat kanë harruar të mbyllen, njëjtë si para dy muajsh.

“Sa për informim niveli i ujit në Çabër e Kushtovë është normal për një ditë vikendi”.

Mujka tutje thotë se kanali i Ibër-Lepencit ka sasinë normale dhe furnizon normalisht edhe fabrikat e ujit, KEK-un, Ferronikelin dhe gjithë bujqit që kanë nevojë me i ujit arrat e tyre.

“Tash a ka kjo ndonjë prapavijë politike që të sulmohet Ibër-Lepenci? Mendoj që edhe zogjtë në qiell e dinë përgjigjen”, ka shkruar Mujka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat