Rreth 30 nxënës mbrëmë janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në një nga lokalet e gastronomisë në Mitrovicë. Gjendja e tyre është më e mirë thonë mjekët, ndërkaq Inspektorati i Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Policia e Kosovës kanë dalë në vendngjarje, duke ia ndaluar punën përkohësisht lokalit ku dyshohet se u helmuan nxënësit.
Mbi 30 nxënës nga gjimnazi “Frang Bardhi” dhe shkolla fillore “Anton Zako Cajupi” të premten pasdite kanë marrë trajtime mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familje dhe në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicës, pas helmimit me ushqim në njërën prej lokaleve me ushqim të shpejtë.
"Kam konsumuar hamburger dhe simptomat mu kanë shfaqur pas 1 dite, të nesërmen. Kam menduar që është grip, pastaj kam shkuar tek doktori dhe më ka thënë që duhet me marrë infuzion", shprehet një nxënës i helmuar, raporton RTK.
“Prej klasës time janë 3 nxënës e prej paraleles ka më shumë", thotë një tjetër nxënës.
Drejtori i Urgjencës në Qendrën e Mjekësisë Familjare, foli për gjendjen të cilët janë pranuar nxënësit.
"Ankesat kryesore kanë qenë së pari me ethe, temperaturë, vjellje, simptomat e barkqitjes, dhimbjeve të barkut, kokëdhimje. Disa prej tyre kanë qenë goxha më të shprehura përderisa ju kanë dashur edhe konsultat e dyta me mjekun", tha Valon Caka, drejtor i Urgjencës.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës tha se gjendja e shëndetësore e nxënësve sot është më mirë, për çka shumica prej tyre janë liruar në shtëpi.
"Dje pasdite në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë paraqitur 7 raste deri në orën 19-20, pastaj fluksi është rritur në orët e mbrëmjes dhe deri në mëngjes janë paraqitur 26 raste. Prej tyre 21 raste pasi kanë marrë terapinë kryesore në këtë qendër, janë liruar në shtëpi në gjendje të përmirësuar shëndetësore, ndërsa 5 raste janë referuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës”, u shpreh Fahri Shabani, drejtor i Shëndetësisë në Mitrovicën e Jugut.
Lokali ku dyshohet se janë helmuar nxënësit është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike, ka bërë të ditur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.