Komuna e Mitrovicës ka nisur sot ndërtimin e objektit të bibliotekës së qytetit, “Latif Berisha”. Projekti i financuar nga Komuna e Mitrovicës arrin vlerën prej rreth 700 mijë euro, ndërsa punimet pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërtimin e kësaj biblioteke e ka quajtur ndër projektet më të rëndësishme në mandatin e tij qeverisës. Sipas tij, paratë e investuara në arsim, kulturë, sport dhe shëndetësi, nuk janë shpenzim, por investimi më i duhur.
Hamza: Po fillojmë ndërtimin e një prej objekteve më të rëndësishme në mandatin tim qeverisës
“Për mua është nderë, kënaqësi, përgjegjësi, që sot jam këtu bashkë me juve në fillimin e ndërtimit të një prej objekteve ndër më të rëndësishmet në mandatin tim qeverisës. Jo si vlerë financiare, por si peshë dhe rëndësi, sepse çdo para e shpenzuar në arsim, kulturë dhe sport, nuk është shpenzim, është investimi më i duhur. Nuk ka ekonomi dhe prosperitet pa arsim, kulturë dhe pa shëndetësi…Kur kam bërë programin me të cilin kam garuar, kam qenë drejtpërdrejt i involvuar, i kam pasur tre pyetje për veten, kur bëhet ky projekt, sa kushton dhe nga financohet ky projekt. Pa i dhënë përgjigje vetes në këto pyetje, nuk e kam vendosur në program”, ka thënë Hamza.
Valdete Idrizi, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Mitrovicë, e ka quajtur ditën e sotme historike për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.
Ajo ka thënë se ndërtimi i bibliotekës në qytetin buzë Ibrit, ka qenë jo vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës.
Idrizi: Ndërtimi i bibliotekës në Mitrovicë ka qenë domosdoshmëri
‘Jam shumë e lumtur, sepse sot me të vërtetë është një ditë historike... Jo se ka qenë nevojë, por ka qenë domosdoshmëri e kohës...Biblioteka e qytetit nuk ka pasur asnjëherë shtëpi të veten, asnjëherë objekt të saj’, ka theksuar Idrizi.
Ndërkaq, sipas akademikut Isak Shema, të gjithë qytetarët e vendit i kanë sytë dhe përkushtimin nga Mitrovica.
Shema: Presim me padurim ndërtimi ne bibliotekës së qytetit
‘Mitrovica është vendi nga i kemi sytë të gjithë dhe ku e kemi përkushtimin tonë, prandaj me padurim presim jo vetëm ndërtimin, por edhe fillimin e punës të kësaj biblioteke’, është shprehur Shema.
Ndryshe, biblioteka në Mitrovicë gjatë periudhës së pasluftës kishte ndërruar disa herë adresë, por që së fundi ishte vendosur në lokacionin e qendrës multifunksionale ‘Omni Sport’, ku vazhdon të funksionojë edhe sot.