Sot është vendosur gurthemeli i ndërtimit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Ilirida” të Mitrovicës, e cila do të plotësojë kërkesat shëndetësore të mbi 20 mijë banorëve të kësaj lagje, si dhe vendbanimeve përreth.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërtimin e QMF-së në “Iliridë” e quajti si njërin nga projektet më të rëndësishme në shëndetësinë primare. Ai bëri të ditur se fundi i vitit të ardhshëm do të jeta koha kur do të përfundojë cikli i investimeve të përgjithshme në infrastrukturën e shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës.
“Jemi këtu për të vendosur gurthemelin e njërit prej projekteve më të rëndësishme në shëndetësinë primare. Fundi i vitit të ardhshëm do të jetë koha kur do të kemi përmbylljen e ciklit të investimeve në infrastrukturën e shëndetësisë. Gjithmonë do të ketë vend për më mirë dhe më shumë, mirëpo asnjëherë, e them me bindje. Përgjegjësi dhe fakte, asnjëherë prej se ekziston shëndetësia primare në Mitrovicë, nuk ka pasur kaq shumë investime dhe kujdes”, ka thënë Hamza.
Drejtori i Shëndetësisë në Mitrovicë, Fahri Shabani, tha se dita e sotme është e rëndësishme për shëndetësinë e Mitrovicës, lagjen “Ilirida” dhe të gjithë mitrovicasit në përgjithësi. Ai falënderoi kryetarin Hamza dhe drejtorin e organizatës ‘Qatar Charity’ nga shteti i Katarit, duke thënë se janë më meritorët për realizimin e këtij projekti.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për shëndetësinë e Mitrovicës, për lagjen “Ilirida” dhe qytetarët e Mitrovicës. Ky projekt është finalizim i një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm të dy personaliteteve që janë më meritorët për realizimin e kësaj vepre të rëndësishme për shëndetësinë, kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, dhe Esam Dabab, drejtor ekzekutiv i Qatar Charity Kosova”, theksoi drejtori Shabani.
Në anën tjetër, Esam Dabab, drejtor i organizatës “Qatar Charity” në Kosovë, u shpreh i bindur se ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm me Komunën e Mitrovicës do të vazhdojë me projekte tjera edhe në të ardhmen.
“Këtë bashkëpunim, të cilin e kemi zgjedhur kohën e fundit me Komunën e Mitrovicës që është i dalluar, shpresoj që në të ardhmen të kemi projekte tjera të radhës në këtë komunë”, tha ai.
Realizimi i këtij projekti me vlerë prej 340 mijë euro, është mundësuar nga Komuna e Mitrovicës, e cila ka participuar me 143 mijë euro, dhe organizata “Qatar Charity” nga Katari, me 197 mijë euro, ndërsa punimet do të përfundojnë deri në fund të vitit 2024.