​Mitrovica shton investimet në shëndetësi, synohet edhe fuqizimi i shërbimit mjekësor shtëpiak

Mitrovica

​Mitrovica shton investimet në shëndetësi, synohet edhe fuqizimi i shërbimit mjekësor shtëpiak

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 10:43
Fahri Shabani

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, Fahri Shabani, ka thënë se në këto tre vitet e fundit është investuar më shumë se kurrë më parë në shëndetësinë primare të Mitrovicës. Ai, gjatë një interviste, ka bërë të ditur se shëndetësia është ndër prioritetet kryesore të qeverisjes aktuale në Mitrovicë dhe kryetarit të saj, Bedri Hamza.

Shabani përmend përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve, si sfidën kryesore, në mënyrë që zhvillimi i shëndetësisë të jetë dinamik dhe me kërkesat e kohës.

Shabani: Duam të fuqizojmë shërbimin mjekësor shtëpiak

“Mund të them me përgjegjësi të plotë se këto tre vite është investuar në shëndetësinë primare… më shumë se çdoherë gjatë historisë së shëndetësisë së Mitrovicës…. Si sfida… në mënyrë që zhvillimi i shëndetësisë primare të jetë dinamik dhe i vazhdueshëm me kërkesat e kohës, mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore… Shërbimi mjekësor shtëpiak ofrohet për persona të moshuar, me aftësi të kufizuara dhe për personat të cilët për ndonjë arsye nuk kanë mundësi të transportohen në QMF-të… Këtë shërbim ne parashikojmë që ta fuqizojmë, t’i rrisim ekipet… në mënyrë që ta mbulojmë më mirë dhe më shpejtë gjithë territorin e Komunës së Mitrovicës”, deklaroi Shabani.

I pari i shëndetësisë në Mitrovicë theksoi tri prioritetet kryesore të qeverisjes aktuale për shëndetësinë, duke përmendur përmirësimin dhe furnizimin me barna, material mjekësor, pajisje dhe aparatura, pastaj rritjen e numrit të profesionistëve shëndetësorë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.

Ai tha se qytetarët e Mitrovicës do të bëhen me QKMF-në më të avancuar dhe më moderne në rajon, në të cilën do të investohen rreth pesë milionë euro si bashkëfinancim i Komunës së Mitrovicës dhe organizatës “Jetimat e Ballkanit”.

Shabani: Shëndetësia është një nga prioritetet kryesore

“Shëndetësia është një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së kryetarit Hamza… Ne kemi pasur tri prioritete kryesore, e para, përmirësimi i furnizimit me barna, material mjekësor, pajisje dhe aparatura… Prioriteti i dytë ka qenë rritja e numrit të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve shëndetësorë... Kemi pranuar në marrëdhënie pune 70 profesionistë shëndetësorë… Prioriteti i tretë ka qenë përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore... Po ashtu, në vitin 2022 ka filluar ndërtimi i QKMF-së në Mitrovicë, një projekt madhor që do të jetë më i madhi dhe më moderni, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, vijon Shabani.

Sa i përket investimeve kapitale, Shabani tha se derisa në vitin 2021 janë shpenzuar 30 mijë euro, për vitin e ardhshëm parashihen shpenzime që kapin vlerën prej 780 mijë eurosh.

Shabani: Për vitin e ardhshëm parashikojmë 780 mijë euro investime në shëndetësi

“Për investimet kapitale, ku përfshihen renovimet dhe rindërdimet, derisa në vitin 2021 janë shpenzuar 30 mijë euro, më 2022 janë shpenzuar 535 mijë euro. Në vitin 2023, 375 mijë euro, ndërsa për vitin 2024 parashihen 780 mijë euro”, ka thënë drejtori Shabani. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat