Ndalohen punimet në një rrugë afër varrezave ortodokse në Mitrovicën e Veriut

Mitrovica

Ndalohen punimet në një rrugë afër varrezave ortodokse në Mitrovicën e Veriut

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 13:00
Pamje nga rruga që po ndërtohej në lagjen Mikronaselje, në Mitrovicën e Veriut, 25 tetor 2023.

Inspeksioni i Komunës së Mitrovicës së Veriut i ka ndërprerë punimet ndërtimore në një rrugë që çon në lagjen multietnike, Mikronaselje, pasi një grup qytetarësh nga komuniteti serb u ankua se varrezat e vjetra ortodokse u gërmuan gjatë punimeve.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL) se rasti është duke u hetuar.

Policia e rrethoi zonën me shirit bardhekuq, që do të thotë se punimet e mëtejshme janë ndaluar.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha për REL-in se ka qenë “gabim teknik i kompanisë që ka fituar tenderin nga Ministria e Infrastrukturës” dhe se ende nuk ka informacione të hollësishme.

Ai tregoi se ndërtimi i rrugës nuk është projekt i komunës.

"Ajo që dimë është se ata gërmuan varrezat ortodokse dhe drejtori ynë i inspektimit e ndaloi punën. Ne presim informacion më të detajuar për të parë se si mund të rregullojmë gjithçka," tha ai.

Disa media lokale që raportojnë në gjuhën serbe kanë thënë se rruga është duke u ndërtuar si pjesë e një projekti për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit nga komuniteti shqiptar, i financuar nga Qeveria e Kosovës.

REL-i iu drejtua Qeverisë së Kosovës për këtë rast, por nuk mori përgjigje.

Qytetarët ngrenë padi

Një grup prej rreth 20 banorësh të Mitrovicës Veriore nga radhët e komunitetit serb kanë bërë kallëzim penal për gërmimin e një varreze.

Njëri prej tyre është edhe Nikolla Kabashiq, i cili në një deklaratë për gazetarët tha se Policia i ka thënë se për momentin nuk e di nëse bëhet fjalë për ndërtim pa leje për të cilin është përgjegjës komuna, apo për ndonjë vepër penale.

Prandaj, kemi ardhur të themi se ‘përdhosja e varreve apo kufomave’ është ende vepër penale dhe se dënohet me ligj”, tha Kabasic, ish-gjyqtar i cili u largua nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Kabasic tha se pas hetimeve policore, ai pret që prokuroria të nisë një hetim kundër klientit dhe kontraktorit.

"Varrezat janë të shënuara qartë, ka më shumë se 30 gurë varresh. Ato janë disa qindra vjet të vjetra. Kjo nuk është një çështje politike, kjo është një çështje ligjore, një çështje civilizimi," tha Kabasic.

Varrezat e reja ortodokse të qytetit të Mitrovicën Veriore gjenden në Rudarë afër Zveçanit prej vitit 1999.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës në Kosovë, ka reaguar ndaj gërmimit të varrezave të vjetra.

Siç thuhet në njoftim, gërmimi i varrezave ortodokse në veri të Mitrovicës “bëhet nga kompanitë shqiptare me urdhër të Qeverisë së Albin Kurtit”.

Ata kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare që të ndalojë “përdhosjen e varreve serbe”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat