Në organizim të “Caritas Kosova” në kolegjin IBCM matanë Ibrit u mbajt tryeza me temën “Paqja dhe pajtimi janë të mundshme”, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë komunal dhe aktivistë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Mitrovicë.
Me këtë rast Don Viktor Sopi, drejtori gjeneral i Caritas Kosova njëri nga panelistët njoftoi për punën e vazhdueshme të organizatës, që vepron edhe në atë pjesë me dekada, duke kontribuar në ndërtimin e paqes, mirëkuptimit, tolerancës por edhe ngritjes ekonomike.
“Paqja mund të arrihet vetëm përmes dashurisë, tolerancës e mirëkuptimit për njëri-tjetrin. Historia e lashtë dhe ajo e afërt na mëson se e kaluara historike e individëve, familjeve, popujve, mbretërive, perandorive, e së fundi edhe shteteve, është ndërtuar mbi përvojën e dashurisë, miqësive, tolerancës, aleancave dhe bashkëpunimit të ndërsjellë” tha Sopi.
Më pas lidhur me mundësinë e pajtimit foli edhe kreu i Kishës Katolike Dodë Gjergji, që ka nënvizuar se në secilin konflikt ka shembuj edhe përvoja të njerëzve të vullnetit të mirë, që kanë shikuar më larg se urrejtja dhe që kanë kundërshtuar konfliktin a luftën.
“Njerëzit e tillë janë ata që janë angazhuar në punë humanitare, duke pasur shpresë në mundësinë për pajtim edhe miqësi dhe duke refuzuar urrejtjen edhe hakmarrjen” tha Gjergji, duke shtuar se sikurse që duhet të themi se edhe në kohën e paqe ka njerëz që priren dhe nxisin për urrejtje edhe konflikt, por e mira gjithë del fitues.
Gjergji bëri thirrje për ripërtëritje të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë sikur në kohën e vjetër dhe duke ndërtuar shtigje të reja bashkëpunimi, por jo duke imponuar paqe a pajtimin, por duke kontribuar sinqerisht në to dhe duke i bërë realitet.
“Për të krijuar duhet mundësi komunikimi dhe bashkë-ndarje të përvojave të jetës, pa pasur frikë nga askush e pa pasur turp ta përdorim gjuhën e njëri-tjetrit. Pasi përpjekja e vazhdueshme për të mësuar një fjalë të re në gjuhën e tjetrit, rrit vetvetiu besimin dhe mundëson marrëdhënie spontane bashkëpunimi” tha ai.
Për situatën dhe rrjedhat foli edhe Jelena Gjokiç drejtore akademike e IBCM, e cila u pajtua me parafolësit dhe potencoi nevojën për njohje dhe komunikim të ndërsjellë mes anëtarëve të dy komuniteteve.
Lidhur me temën bosht pati diskutime edhe bartje të përvojave nga pjesëmarrës të shumtë që lavdëruan organizimin por edhe ritheksuan nevojën për bashkëpunim, njohje edhe komunikim me qëllim të thyerjes së barriarave të ndarjes dhe shmangien e “hendekut” të krijuar nga koha e luftës.
Lidhur me “Njohjen dhe besimin e ndërsjellë si faktor paqe e pajtimi” ka fol profesori Xhemajl Veliqi nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, që ka potencuar rëndësinë që ka komunikimi dhe përballja e qëndrimeve për njohjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, ndërsa po për këtë temë foli edhe profesorja Blagica Radovanoviç, drejtore e OJQ “Santa Maria”, që përmendi shembuj të bashkëpunimi mes organizatave joqeveritare por edhe në jetën e përditshme.
Tryeza u përmbyll me nxjerrjen e rekomandimeve dhe mesazhit për paqe, tolerancë edhe pajtim, nga drejtori i “Caritas Kosova” Don Viktor Sopi që foli në gjuhën serbe, ndërkohë që premtoi angazhim edhe tryeza të ngjashme me qëllim njohjen pajtimin, mbjelljen e paqes edhe dashurisë dhe bashkëpunimit mes njerëzve pa dallim përkatësie kombëtare a fetare.
Gjatë kësaj tryeze për pjesëmarrësit u interpretuan pika muzikore si “What a wonderful world” dhe ajo “O Sole mio” nga Taulant Rruci, duhet theksuar se salla ku u mbajt tryeza ishte mbushur plotë pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet dhe të cilët shprehën mirënjohje organizatorit dhe shpreën po ashtu pritjet për takime e tryeza të ngjashme edhe në të ardhmen.