Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sali Haxhibeqiri” të enjten kanë dhënë dorëheqje nga pozitat udhëheqëse katër zyrtarë shëndetësorë me arsyen se nuk kanë mundur të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur.
Nga Shërbimi Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) në një përgjigje kanë konfirmuar se zëvendësuesi i drejtorit të Spitalit ka dhënë dorëheqje, e cila është aprovuar nga drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së.
Ndërsa, sa i përket tre zyrtarëve të tjerë nga ShSKUK-ja thanë se ata nuk caktohen e zgjidhen nga ShSKUK, por nga drejtori i Spitalit të Mitrovicës.
“Konfirmojmë se zëvendësuesi i drejtorit të Spitalit ka dhënë dorëheqje, e cila është aprovuar nga drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK. Sa i përket ekipit tjetër ata nuk i përgjigjen drejtorit të ShSKUK dhe nuk caktohen e zgjidhen nga ShSKUK, por drejtorit të spitalit, të cili i përgjigjen”, kanë thënë në përgjigjen e tyre nga ShSKUK-ja.
Po ashtu nga zyra për informim në ShSKUK thanë se në vend zëvendësuesit të drejtorit të Spitalit është caktuar Laura Nushi.
Media ka kontaktuar edhe të sapo emëruarën në krye të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Laura Nushi e cila konfirmoi për dorëheqjet nga pozitat e tyre udhëheqëse të tre zyrtarëve të tjerë.
Ndërkaq, siç mësohet, këta janë zyrtarët shëndetësorë që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat udhëheqëse: ud.drejtori Ekzekutiv, Enver Beqiri, ud.drejtori Shëndetësor, Fatbardh Rexha, ud.drejtoresha Infermierëve, ud.Merita Habibaj dhe ud.drejtoresha Operative, Hajrie Mustafa.
Gjithashtu Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët përmes një përgjigje elektronike kanë shkruar se duhet t’i drejtohen ShSKUK-së.
“Lidhur me pyetjet e juaja, luteni që t’i drejtoheni ShSKUK-së, pasi që Spitalet e Përgjithshme janë nën kompetencën e e ShSKUK-së”, thanë nga MSh-ja.