‘Filigran Rroki’, përpjekje për ta mbajtur gjallë zejen e vjetër

Mitrovica

‘Filigran Rroki’, përpjekje për ta mbajtur gjallë zejen e vjetër

Më: 9 janar 2024 Në ora: 13:33
Rrok Gjoka

Është ndër argjendarët më të vjetër me traditë në qytetin e Mitrovicës. Gjatë një bashkëbisedimi, bënë të ditur se dikur së bashku me babain e tij kanë punuar por që në mungesë të kërkesave, është detyruar ta ndërpresë. Rrëfen për interesimin në rënie ndaj këtij profesioni.

Tashmë janë bërë më shumë se një shekull që kur familja Gjoka nga Mitrovica merret me këtë zanat, ndërsa nga një dyqan i vogël në qendër të qytetit, kanë arritur të krijojnë vepra të mëdha.

Rrok Gjoka, 48-vjeçar, i vetmi nga kjo familje e respektuar në Mitrovicë që po e ushtron zanatin e të parëve për më shumë se tri dekada, thotë se përkundër interesimit të vogël, njohuritë e mjeshtërisë së tij të stolive prej ari dhe argjendi po përpiqet t’i bartë te gjeneratat e reja, duke u siguruar kështu që zeja e vjetër të mos zhduket.

Ai gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, bënë të ditur se dikur së bashku me babain e tij kanë punuar me filigran, por që në mungesë të kërkesave, është detyruar ta ndërpresë dhe të vazhdojë me rregullimin e stolive nga ari dhe argjendi.

Argjendari Rrok Gjoka, ka potencuar se tërë këto vite ka punuar me shumë dashuri, duke kryer edhe stoli të veçanta me porosi, në të kundërtën nuk do të mund t’i krijonte ato.

“Më shumë se një biznes është ruajtja e traditës”, vazhdon ai, duke thënë se me këtë zanat arrinë të mbajë familjen dhe të ketë jetë mesatare.

Gjoka rrëfen për interesimin në rënie ndaj këtij profesioni, duke bërë të ditur se në familjen e tij të ngushtë pesë anëtarëshe, përveç bashkëshortes e cila i ndihmon shumë, vetëm vajza e vogël, Rea 12-vjeçare, tregon nganjëherë interesim.

Ndonëse pranon presionin e zhvillimit teknologjik, dhe si rrjedhojë e kësaj shumë modele të stolive më nuk i bënë me punë dore, Gjoka thekson nevojën e vazhdueshme të riparimit të stolive, meqë ato gjatë përdorimit mund të dëmtohen, dhe kjo e mban gjallë tek ai shpresën për ruajtjen e kësaj zeje.

Gjoka: Në familjen tonë ky zanat është më i vjetër se 100 vjet

‘Fillimisht zanatin e kam mësuar prej babait, kam filluar diku në moshën 15 vjeçare, tash i kam 48 vjet dhe veç me këtë punë jam marrë, nuk e kam ndërprerë kurrë. Babai zanatin e ka marrë prej burrit të tezës, edhe ai si fëmijë diku në moshën 12-13 vjeçare ka filluar me marrë zanatin…Do të thotë ky zanat në familjen tonë është më i vjetër se 100 vjet. Kryesisht merrem me rregullimin e arit dhe argjendit, punojmë nganjëherë edhe me porosi, jo shumë por me raste. Dikush ka ndonjë kërkesë të veçantë, ndonjë unazë, varëse etj… Kemi punuar me filigran, babai edhe unë pata filluar, por në Mitrovicë nuk ka pasur shumë kërkesa prandaj tani nuk e punojmë filigranin. Janë disa modele të vjetra që kanë mbetur por tani nuk punojmë me filigran… Punën e bëjë me dashuri të madhe sepse ndryshe nuk bëhet kjo punë… Ne meremi edhe me shitjen e arit dhe argjendit, por me mbajt familjen dhe me udhëheqë një jetë mesatare mundesh edhe pa shitje, veç me punë të mjeshtërisë”, thotë ai.

Sipas tij, fatkeqësisht në Mitrovicë kanë mbetur gjithsej tre ose katër mjeshtër të këtij zanati.

Gjoka: Zeja si zanat nuk shuhet kurrë, sepse gjithmonë ka prishje të stolive

“Tre ose katër mjeshtër janë në qytetin e Mitrovicës të cilët punojnë… Unë e kam një djalë dhe dy vajza. Djali ka pasur dëshirë më shumë me vazhduar shkollimin, ka mbaruar shkencat kompjuterike… Tani për tani jo, ndoshta më vonë…nuk ka interesim…Vajza e vogël tregon nga pak interesim për këtë zanat, vjen në dyqan kur ka kohë sepse është në shkollë, është 12 vjeçare, vjen nganjëherë në dyqan na ndihmon, tregon nga pak interesim, por ende është e vogël… Zeja si zanat nuk shuhet kurrë, sepse gjithmonë ka prishje të stolive, duhet me mirëmbajt, pastru, mirëpo normalisht teknologjia ka përparuar dhe disa modele shembull të cilat i punon makina dhe industria, me dorë nuk kemi gjasa me i bë”, vijon Gjoka.

Stolitë e mahnitshme të punuara deri në detajin e fundit e që të joshin syrin, siç janë figura e Nënës Terezë, Adem Jasharit, shqiponja të veçanta, vathë në formë të syrit dhe të ngjashme, argjendari nga Mitrovica i tregon vetëm përmes fotove në telefonin e tij, sepse origjinalet i ka shitur me porosi.

Stolitë e tilla, Gjoka preferon t’i punojë me kënaqësinë më të madhe, sepse siç u shpreh ai, ato nuk kanë vetëm funksion të duken të bukura, apo të shërbejnë si dhuratë, por mbartin edhe histori dhe copëza nga e kaluara.

Gjoka theksoi se mjeshtri i vërtetë i këtij zanati duhet të shquhet për imagjinatën, të cilën e vë në funksion përmes mendjes, si dhe në koordinim me veprimet e duarve.

Në fund, pyetjes tonë se sa po arrinë të mbijetojë me këtë zanat, Gjoka i përgjigjet me modesti dhe si në shaka, “argjendarë ka mesatarë dhe të pasur, nuk mund të them se ka të varfër”.

Gjoka: Një mjeshtër të vërtetë e shquan imagjinata

‘Ka shqiponjë disa llojesh që ne i shesim, por dikush kërkon më të posaçme, ose figurën e Nënës Terezë, Adem Jasharit. Po i kemi punuar, ne mundemi ato me i punu edhe përmes pllakave, ajo bëhet fillimisht si foto pastaj si gravurë. Kam pasur psh. kërkesë nga klienti t’i punoj vathë të argjendit me formë të syrit. Ai m’i ka vizatuar në letër, ndërsa unë i kam premtuar se do t’ia punoj njëjtë siç është vizatimi në letër dhe ia kam punuar… Një mjeshtër të vërtetë e shquan imagjinata, ku pastaj vihet në funksion truri dhe mendja, pastaj me lëvizje të duarve dhe mjeteve, përfundon me sukses një produkt… Argjendarë ka mesatarë dhe të pasur, nuk mund të them se ka të varfër’, shprehet Gjoka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat