Qytetarët e Mitrovicës të zhgënjyer me zhvillimin ekonomik gjatë vitit 2023

Mitrovica

Qytetarët e Mitrovicës të zhgënjyer me zhvillimin ekonomik gjatë vitit 2023

Më: 13 janar 2024 Në ora: 12:06
Mitrovicë

Qytetarët e Mitrovicës shprehen të zhgënjyer me gjendjen e përgjithshme ekonomike gjatë vitit 2023.

Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, vlerësojnë se në qytetin e tyre, i cili vjen nga një ekonomi e fuqishme para luftës, tani nuk ka zhvillim ekonomik.

Papunësia, numri i madh i rasteve me asistencë sociale, mungesa e investitorëve, thonë se janë vetëm disa prej arsyeve të mos zhvillimit ekonomik, ndërsa si shkaktarin kryesor për një gjendje të tillë ata përmendin situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë.

Nysret Maxhera, ekspert i ekonomisë, thotë se qyteti i Mitrovicës pas luftës ka humbur rëndësinë dhe rolin e zhvillimit ekonomik.

Sipas tij, zgjidhja e këtij problemi duhet të bëhet përmes shkollimit të kuadrit, i cili ka vizion të zhvillimit ekonomik, industrializimit, si dhe shfrytëzimit të aseteve natyrore me të cilat disponon qyteti. Ai thotë se komuna nuk ka kapacitete dhe as vullnet për një zhvillim më të madh ekonomik.

Maxhera: Prej pasluftës, Mitrovica çdo ditë e më shumë po zhytet në varfëri

“Pas luftës Mitrovica ka humbur rëndësinë dhe rolin e zhvillimit ekonomik… Në periudhën e pasluftës Mitrovica çdo ditë e më shumë zhytet në varfëri dhe mos zhvillim ekonomik dhe njëkohësisht bie standardi jetësor i qytetarëve… Së pari, duhet të shkollohet kuadri, të kemi një kuadër me vizion të zhvillimit ekonomik, industrializimit, shfrytëzimit të aseteve natyrore me të cilat disponon Mitrovica… Fatkeqësisht, të gjitha fabrikat me të cilat ka disponuar Mitrovica, përmes të cilave janë zhvilluar edhe qytetet tjera, janë në zhdukje e sipër… Çdo buxhet komunal nuk është zhvillimor, mirëpo ai duhet ta ndihmojë dhe të bëjë kërkesa e programe për zhvillimin industrial në këtë rast të Mitrovicës… Po shihet puna në terren, sepse nuk ka zhvillim, por ka zbrazje të kuadrove dhe qytetarëve nga Mitrovica, dhe kjo na bënë me dije, pa analiza të thukëta, se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe komuna nuk ka kapacitete dhe as vullnet për një zhvillim më të madh ekonomik”, ka thënë Maxhera.

Burhan Maxhuni, qytetar nga Mitrovica, përmend numrin e madh të familjeve me asistencë sociale, si dëshmi e mungesës së zhvillimit ekonomik. Ai thotë se komuna ka mundur të bëjë më shumë në zbutjen e gjendjes sikur buxhetet e drejtorive komunale të dedikoheshin më shumë për investime kapitale dhe jo vetëm për shpenzime shërbyese.

Maxhuni: Komuna ka kapacitet ta rrisë zhvillimin ekonomik

“Nuk ka zhvillim ekonomik. Shihet qartë se në Mitrovicë kemi me asistencë sociale pothuajse numrin më të madh në Kosovë.… Unë mendoj se komuna ka kapacitet ta rrisë zhvillimin ekonomik në qoftë se ka investime kapitale, do të thotë është dashur buxheti i secilës drejtori të shkojë në investime kapitale dhe jo në shpenzime shërbyese”, tha Maxhuni.

Edhe Erion Fejza, një mitrovicas tjetër, pranon se në qytetin e tij nuk ka zhvillim ekonomik.

Fejza: Ka papunësi dhe fukarallëk

“Zhvillim ekonomik, të ketë këtu dhe gjatë ditës së punës të shëtisin dy mijë njerëz, nuk është ky zhvillim… Ka papunësi… fukarallëk ka sa të duash”, tha ai.

Ndërsa, Hajdar Shyti, përmend situatën e brishtë të sigurisë në Mitrovicë, si faktorin kryesor të mungesës së zhvillimit ekonomik. Ai shpreson së shpejti në një marrëveshje politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe njëkohësisht në përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Shyti: Pa siguri, asnjë investim i huaj nuk ndodh

“Pa pasur siguri, asnjë investim i huaj nuk mund të ndodhë. Kështu që besoj se me hapat e fundit, të cilat po ndodhin si në veri ashtu edhe në jug të Mitrovicës, ndoshta na ofrohet një mundësi për një zhvillim të tillë në një të ardhme, shpresoj të afërme. Do të thotë investime për zhvillim ekonomik nuk mund të ketë pa shtet stabil… Kemi një kryetar i cili e njeh ekonominë, por potencialet e komunës nuk i njoh dhe nuk i di”, u shpreh Shyti.

Në anën tjetër, Rrustem Abiti, thotë se çështja e zhvillimit ekonomik të Mitrovicës ka ngecur për shkak të ndikimeve politike. Ai shton se askush nuk investon në një vend ku pretendohet se mund ta rrezikojë kapitalin.

Abiti: Mitrovica me probleme pas luftës, investitorët hezitojnë të investojnë

“Zhvillimi ekonomik ndikohet nga shumë faktorë. Prej investimeve, investitorëve të jashtëm, joshja e tyre, krijimi i kushteve…Këta faktorë janë të pakët në Mitrovicë për arsye shumëdimensionale. Më shumë për shkak të ndikimeve politike çështja e zhvillimit të Mitrovicës ka ngecur… Askush nuk investon në një vend, ku pretendohet se mund ta rrezikojë kapitalin dhe Mitrovica faktikisht ka pasur gjithherë probleme paslufte, kështu që investitorët e jashtëm kanë hezituar… Është e vërtetë se Kosova dhe Mitrovica kanë një papunësi të shtuar në krahasim me vendet e rajonit”, potencoi Abiti.

Ndryshe, statistikat tregojnë se rajonet më të prekura në vend ose me numrin më të lartë të rasteve që përfitojnë nga skema sociale, janë rajoni i Mitrovicës, pasuar nga rajoni i Prishtinës dhe ai i Ferizajt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat