Qytetarët e Mitrovicës janë ndarë në dysh sa i përket faturave të energjisë elektrike. Derisa disa thonë se ato janë shumë të larta dhe se po faturohen më shumë sesa duhet, të tjerët besojnë se faturimi po bëhet korrekt dhe se po paguajnë aq sa po harxhojnë.
Lavdim Behrami, qytetar nga Mitrovica, ka bërë të ditur për KosovaPress, se çmimi i faturës së energjisë është tejet i lartë. Ai dyshon se qytetarët e jugut po vazhdojnë të paguajnë energjinë për serbët e veriut, njëjtë si në të kaluarën.
Përkundër ankesave që ka bërë, shtoi ai, energjinë po e paguan sërish me çmim shumë të lartë.
Behrami: Rryma për këtë muaj shumë më e shtrenjtë sesa muajin e kaluar
‘Jo pak, por është shumë shtrenjtë. Herë vjen 80 euro, 90, herë vjen 40, kur bëjmë ankesë thonë e ke harxhuar, por nuk e kam harxhuar sepse të njëjtat pajisje i kemi… Faji po ma merr mendja se është veriu. Ata s’janë duke paguar që 30 vjet, e pastaj po na rrisin faturat këndej deri të bëhet një zgjidhje për andej. Tjetër s’ka shans, sepse gjithmonë kanë ardhur faturat normal, tash e disa muaj dyfishi… Me dru ngrohemi, një televizor, bojler, lavatriqe, edhe ato para orës 11 të natës nuk lëshohen kurrë. Sot isha të bëj një ankesë, bile këtë muaj që kanë qenë fëmijët në pushim, s’kemi qenë në shtëpi dhe shumë më pak është përdorur rryma. Kam menduar se do të vijë shumë më lirë, ndërsa veç më shtrenjtë ka ardhur sesa muajin e kaluar kur kemi qenë në shtëpi të gjithë anëtarët. S’e di’, ka thënë Behrami.
Edhe Idriz Rrustemaj, tha se çmimi i energjisë është shumë i lartë dhe se muajin e kaluar e ka ‘shkatërruar’ atë. Sipas tij, një kW duhet të ketë çmimin dhe qytetarët të paguajnë sado kW që harxhojnë njëjtë, dhe jo që ata të penalizohen nëse tejkalojnë 800 kW, e të paguajnë dyfishin e çmimit.
Rrustemaj: Ua dha nga 100 euro pensionistëve, pas dy ditësh na i mori
“Muajin e kaluar na ka shkatërruar. Çka domethënë, nëse i harxhoj 800 kW, ose 200, 1 mijë kW, ta faturojnë rrymën qysh dëshiron ai - 100 për qind. Kilovati e ka çmimin e vet, prandaj si është e mundur? Kjo është veç se po mund t’ia bëjë popullit… Na i dha nga 100 euro neve pensionistëve, pas dy ditësh na i mori”, tha ai.
Në anën tjetër, Nazmi Qaushi, një mitrovicas tjetër, theksoi se çmimi i faturave të energjisë nuk është i lartë, dhe se qytetarët po paguajnë aq sa po harxhojnë. Ai tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos tejkalojnë 800 kW, sepse sipas tejkalimit dyfishohet çmimi.
Qaushi: Faturat nuk janë të larta
“Jo, nuk janë faturat e larta, aq sa kemi harxhuar janë duke u faturuar. Bëhet tejkalimi i 800 kW, dhe sipas tejkalimit është dyfishuar vlera… 130 euro kam paguar muajin e kaluar dhe këtë muaj gati njëjtë… Ngrohemi me stufa elektrike’, u shpreh për KosovaPress Qaushi.
Smajl Kajtazi thotë po ashtu se çmimi i faturave të energjisë është normal dhe se është duke paguar vetëm aq sa po harxhon.
Kajtazi: Gjyshi ma ka lënë amanet, sa herë të dalësh ndale dritën
“Faturat që më kanë ardhur dy muajt e fundit, janë normale si gjithmonë, as më pak dhe as më shumë, vetëm sa kam harxhuar… Muajin e kaluar kam paguar 33 euro, këtë muaj 32 euro… Unë i kushtoj goxha vëmendje… Jemi dy persona dhe ngrohemi me dru më shumë… Mua më ka lënë amanet gjyshi, ‘djalo shyme dritën sa herë të dalësh dhe të hysh, se për atë punë e kanë lënë”, tha ai.
Ndryshe, përveç qytetarëve, reagime për dyshime nëse ka pasur rritje të çmimeve apo fryrje të faturave ka pasur edhe nga KMDLNJ, partitë opozitare dhe shoqëria civile.