Ndërtimet pa leje në veri të Mitrovicës kanë bërë që ky rajon të përballet me sfida të mëdha në lidhje me ligjin dhe planifikimin urban.
Si rrjedhojë e kësaj, kohëve të fundit disa prej objekteve në këtë pjesë u janë ndërprerë punimet, pikërisht për shkak të mungesës së lejes nga institucionet përkatëse.
Drejtoria e Inspekcionit në komunën e Mitrovicës veriore, deri më tani ka ndaluar punimet në rreth 12 objekte.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglanin.
“Sipas informacioneve janë rreth 12 objekte që u është ndaluar ndërtimi. Arsyeja e ndërprerjes së punimeve në këto objekte ka të bëjë sepse të njëjtat nuk kanë pasur leje ndërtimi nga Komuna”, ka thënë Uglanin.
Muaj më parë kryetari i kësaj komune, Erden Atiq bëri të ditur se punimet nuk do të vazhdojnë deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Drejtoria e Inspekcionit nga komuna e Mitrovicës Veriore ka vizituar vendpunishtet në të cilat kanë filluar ndërtimet e objekteve pa përfillur procedurat ligjore. Në mungesë të dokumentacioneve, janë vendosur shiritat me të cilat ndalohet vazhdimi i punëve deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Atiq.