​Mitrovica bëhet me shtatoren e Komandantit Legjendar Adem Jashari

Mitrovica

​Mitrovica bëhet me shtatoren e Komandantit Legjendar Adem Jashari

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 14:58
Adem Jashari

Në mesin e qindra qytetarëve, sot në Mitrovicë në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u inaugurua shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Në një fjalë rasti, vëllai i Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rifat Jashari, uroi të gjithë shqiptarët anë e kënd botës festën e Ditës së Pavarësisë, teksa uroi që “këtë shtatore dhe gjithë të tjerat t’i gëzojmë së bashku”.

Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se sakrifica e familjes Jashari e simbolizon dhe sintetizon historinë e të gjitha familjeve të Kosovës për liri.

Ai tha se si rrallë herë në historinë e kombeve dhe njerëzimit, familja Jashari qëndruan heroikisht dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, duke u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe.

Hamza shtoi kjo sakrificë u bë frymëzim dhe forcë mobilizuese për djemtë dhe vajzat e Mitrovicës që me armë në dorë luftuan denjësisht për lirinë e Kosovës.

“Ditë kurorëzimi i një përpjekje të madhe, ajo kishte bashkuar të gjitha tokat e gjakut të dëshmorëve. Kur po shënojmë inaugurimin e shtatores, përkulemi para gjakut të dëshmorëve”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, i pari i Mitrovicës tha se kjo shtatore simbolizon realizimin e idealit tonë për liri.

Në mesin e shumë të pranishmëve, prezent në këtë ceremoni ishte edhe djali i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat