Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Mitrovicë, Elvis Feka, ka thënë se organet komunale janë hallka e parë e bashkëpunimit me qytetarët, andaj sipas siç thotë ai politikbërja që vie nga lart-poshtë, po ju shkakton probleme.
Ai gjatë një interviste për KosovaPress, bëri të ditur se bashkëpunimi me institucionet qendrore nuk është në nivelin e kënaqshëm, përkundër iniciativave të komunës së Mitrovicës për të punuar projekte të përbashkëta.
Sipas tij, komuna e Mitrovicës po përballet me sfida të mëdha të zhvillimit ekonomik si pasojë e problemeve të përgjithshme ekonomike në Evropë dhe botë, e sidomos pas mungesës së zhvillimit të industrisë në këtë qytet.
Duke folur për punët e Drejtorisë të cilën e udhëheqë në përmirësimin e ekonomisë së Mitrovicës, Feka ka përmendur krijimin e infrastrukturës, strategjinë për zhvillim ekonomik lokal, strategjinë për turizëm, si dhe angazhimin e madh në fuqizimin e zonave ekonomike.
Ai potencoi mbështetjen për fuqizimin e ekonomisë sidomos në zonat rurale, duke subvencionuar banorët e këtyre zonave, pastaj organizatat joqeveritare, si dhe projektet e ndryshme për turizëm.
Drejtori Feka premtoi se nuk do të ndalet, duke punuar kështu vitet në vijim edhe në fuqizimin e zonave ekonomike dhe ndërmarrjeve publike, qoftë me përkrahje apo projekte për bashkëpunim me donatorë për investim.
Ai theksoi se prej ardhjes së Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje, është arritur që deri tani të realizohen 70 përqind e premtimeve në fushën e ekonomisë.
Feka: Po përballemi me sfida të mëdha të zhvillimit ekonomik
“Pjesa e bashkëpunimit me qendrën nuk është në nivelin e kënaqshëm, përkundër iniciativave tona për të punuar projekte të përbashkëta… Këtë vit kemi arritur t’i dërgojmë një numër të madh të projekteve në nivelin qendror... Ne synojmë që të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me nivelin qendror për shkak se si qeverisje jemi hallka e parë e bashkëpunimit me qytetarë dhe shpeshherë politikbërja po vie nga lart-poshtë, gjë që po na shkakton probleme… Si komunë e Mitrovicës po përballemi me sfida të mëdha të zhvillimit ekonomik… për shkak të problemeve ekonomike përgjithësisht në Evropë dhe botë… I kemi sfidat tona sidomos pas kalimit të komunës nga një qytet industrial në një qytet ku …industria veç është stopuar, si dhe jemi përballur me tranzicionin e kalimit në pjesën e bizneseve dhe veprimtarive tjera të ekonomisë, me qëllim të fuqizimit të ekonomisë… Si komunë e Mitrovicës kemi punuar shumë në krijimin e infrastrukturës, kemi bërë strategjinë për zhvillim ekonomik lokal, kemi bërë strategjinë për turizëm dhe jemi angazhuar shumë në fuqizimin e zonave ekonomike të cilat i kemi veç të themeluara”, pohoi ai.
Ndërkaq, duke folur për fushën e turizmit, ai theksoi se sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2023 ka pasur rritje të turizmit pritës ditor për 70 për qind.
Feka: Gjatë vitit 2023 kemi pasur rritje të turizmit pritës ditor për 70 për qind
“Ne po ashtu si pjesë të ekonomisë kemi trajtuar edhe turizmin që si Mitrovicë thjesht ka pasur vetëm zëra për pjesën e zhvillimit të turizmit, e kemi trajtuar Shalën ndoshta si atraksion turistik, mirëpo nuk ka pasur iniciativa të drejta dhe të qarta për orientimin e turizmit në atë zonë. Kemi nisur me disa iniciativa vitin e kaluar si shenjëzimi i shtigjeve të ecjes, kemi vendosur projektin më të madh që është bërë në Mitrovicë pas liqenit artificial, ballkoni panoramik i qytetit, që është një ivestim që ia ka kthyer orientimin turizmit në Mitrovicë, i cili përbëhet nga një shteg prej 1.1 kilometra, me një ballkon që ka simbolin e Trepçës dhe prej ku shihet qyteti i Mitrovicës nga pjesa malore. Jemi duke punuar në fuqizimin e ekonomive në zonat rurale kryesisht, po flas për zhvillimin e turizmit pritës, që si qytet nuk është se njihemi shumë… Kemi pasur një thirrje vitin e kaluar ku i kemi subvencionuar 10 bujtina me panele solare dhe synimi kryesor i kësaj ka qenë me i nxitë banorët e viseve rurale që shtëpitë e tyre të cilat ndoshta i kanë lënë me i ritrajtua dhe lëshua për turizëm si bujtina, vila, në mënyrë që me nxitë këtë pjesë të zhvillimit rural… Është me interes me potencua edhe pjesën e subvencionimit të organizatave joqeveritare në Mitrovicë. Për herë të parë si komunë kemi bërë subvencionimin e projekteve për turizëm… Të gjitha këto aktivitete na kanë bërë të lumtur, sepse kanë pasur efekt, të cilin e kemi vërejtur në të dhënat zyrtare të Agjencionit të Statistikave të Kosovës, ku gjatë vitit 2023 kemi pasur rritje të turizmit pritës ditor për 70 për qind, si dhe rritje të turizmit të qëndrimit më shumë se një ditë për 80 për qind. Synimi ynë është që mos me u ndalë”, tha Feka.
Ai theksoi se prej ardhjes së Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje, është arritur që deri tani të realizohen 70 për qind e premtimeve në fushën e ekonomisë.
Feka: Kemi arritur që deri tani 70 për qind nga fusha e ekonomisë t’i përmbushim si premtime
“Këtë vit dhe vitet e ardhme planet janë që t’i fuqizojmë zonat ekonomike, ndërmarrjet publike, qoftë me përkrahje apo projekte për bashkëpunim me donatorë për investim në fuqizimin e tyre… Jemi duke punuar ta bëjmë një projekt shumë atraktiv tunelin e qytetit të Mitrovicës. Në hyrje të qytetit jemi duke synuar ta bëjmë komplet mozaik. Ideja e këtij projekti ka qenë që të kalojmë nga diçka që është e errët, të cilin qytetarët mos ta kalojnë vetëm si destinacion, por me kthyer në një destinacion të cilin qytetari kishte me pas interesim me ardhur me përjetua si tunel që do të bëhet ndoshta më i bukuri në rajon… Këto projekte që i përmenda, jo të gjitha mund të përfundojnë në mandatin tonë, por ideja është që t’i vendosim bazat e një turizmi dhe një zhvillimi ekonomik në Mitrovicë, e pastaj kushdo që vjen pas nesh ose të jemi ne prapë, synimi është t’i vazhdojmë këto objektiva… Duke u bazuar në premtimet e kryetarit të cilat janë edhe në të dhënat zyrtare, kemi arritur që deri tani 70 për qind nga fusha e ekonomisë t’i përmbushim si premtime”, ka thënë Feka.