Apple: iPhone do të paralajmërojë përdoruesit për fotografi eksplicite

Mobile

Apple: iPhone do të paralajmërojë përdoruesit për fotografi eksplicite

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 09:33
Foto ilustrim

Në konferencën e fundit WWDC, Apple prezantoi një sërë përmirësimesh në iPhone, duke përfshirë opsione të tilla si mesazhet audio përmes FaceTime dhe funksionin “Check In”.

Sidoqoftë, iOS 17 vjen me më shumë mjete të reja, duke përfshirë një që paralajmëron përdoruesit për përmbajtjen eksplicite potencialisht të padëshiruar.

Sipas postimit në blog të Apple, është shpjeguar se si do të funksionojë kjo veçori. Domethënë, kur pranoni një fotografi eksplicite, do të shfaqet një dritare që ju pyet nëse dëshironi ta shihni këtë material të ndjeshëm.

Kjo mund t’i ndihmojë përdoruesit të mbrohen nga përmbajtja që nuk duan të shohin, raporton Tech Crunch.

“Fotografitë eksplicite tregojnë zona private të trupit që zakonisht mbulohen me të brendshme apo rroba banje”, thuhet në dritare.

“Ju nuk jeni përgjegjës, por imazhet dhe videot si kjo mund të keqpërdoren për t’ju dëmtuar”, thuhet ndër tjera.

Dritarja tregon më tej se personi në foto ose video mund të mos ketë dhënë pëlqimin për të shpërndarë një përmbajtje të tillë.

Përdoruesit kanë tre opsione: ata mund të refuzojnë ose rishikojnë përmbajtjen, ose mund të zgjedhin opsionin “mënyrat për të marrë ndihmë”.

Duke qenë se iOS 17 nuk është ende i disponueshëm, përshkrimi i saktë i opsionit nuk dihet, por supozohet se do t’u ofrojë përdoruesve informacione se si të reagojnë në situata të ngacmimeve seksuale.

Apple thekson se kjo veçori është opsionale dhe mund të aktivizohet ose çaktivizohet në cilësimet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat