Apple po përgatitet të zhvendosë montimin e të gjithë iPhone-ve nga Kina në Indi, në përgjigje të tensioneve gjithnjë e më të theksuara tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, raportoi së fundmi Financial Times.
Në fillim të këtij muaji, Presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa gjithëpërfshirëse mbi shumë produkte, duke përfshirë tarifa deri në 145% për mallrat kineze. Trump argumentoi se këto masa do të ndihmojnë në ringjalljen e prodhimit vendas dhe në korrigjimin e deficitit tregtar. Pekini reagoi me vendosjen e tarifave dhe kufizimeve të reja të eksportit.
Megjithatë, Agjencia Amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit ka përjashtuar disa produkte nga tarifat më të larta, duke aplikuar një normë të reduktuar prej 20% për kompjuterë, laptopë, telefona inteligjentë dhe pajisje të tjera teknologjike. Sipas Shtëpisë së Bardhë, këto përjashtime synojnë t’u japin kompanive kohë për të lokalizuar prodhimin në SHBA.
Financial Times, duke cituar burime të afërta me çështjen, raportoi se Apple planifikon të përfundojë zhvendosjen e plotë të linjave të montimit në Indi deri në fund të vitit 2026, duke ndikuar në mbi 60 milionë iPhone që shiten çdo vit në tregun amerikan. Gjiganti teknologjik ka përshpejtuar kështu strategjinë e tij të mëparshme për të diversifikuar prodhimin, nën presionin e luftës tregtare.
Edhe pse Apple ka zhvendosur tashmë disa linja montimi në Indi dhe Vietnam, Kina mbetet ende qendra kryesore e prodhimit global të iPhone-ve, falë investimeve të mëdha të kryera gjatë dy dekadave të fundit. Financial Times thekson gjithashtu se shumë komponentë përbërës që përdoren në montim, vazhdojnë të furnizohen nga Kina.
Ndërkohë, Times of India raportoi se në fund të muajit mars, Apple kishte transportuar pesë aeroplanë me iPhone dhe pajisje të tjera nga India në SHBA, përpara hyrjes në fuqi të një tarife të re prej 10% ndaj mallrave indiane më 5 prill.
Në lidhje me çmimet, Reuters vlerësoi se modeli më i lirë i iPhone 16, i lançuar në SHBA me çmimin 799 dollarë, mund të pësojë një rritje deri në 1,142 dollarë, nëse Apple vendos t’ia kalojë koston shtesë konsumatorëve, bazuar në parashikimet e analistëve të Rosenblatt Securities.