Sot, Arif Vladi, këngëtari emblematik i Lurës, Dibrës dhe krejt trojeve tona etnike, mbush 65 vjeç. Në këtë përvjetor të shënuar të jetës së tij, i urojmë dhe njëqind vite të tjerë lumturie e fisnikërie, kënge e qëndrese në emër të vlerave të shqiptarisë, të cilave iu këndoi dhe vazhdon të ju këndon në çdo ditë të jetës së tij, me pasionin dhe përkushtimin e një artisti të madh.
Arif Vladi e ka identifikuar jetën e tij me muzikën dhe këngën, kryesisht epike, ku me zërin e tij gjëmimtar, krejt të veçantë e do të thoshim unik në përbashkësinë e të gjithë atyre që e lëvrojnë këtë zhanër të këngës, është bërë një simbol i vlerave që mbart dhe përcjell arti i vërtetë tek të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare, kudo që flitet gjuha jonë e bukur, pa kufijtë e ndarjet artificiale që na vendosën ne shqiptarëve kohët e vështira të trazimeve tona kolektive.
Këngëtari virtuoz ka një zë magjik, përtej të zakonshmes, madje do të thoshim të papërsëritshëm, ku me këngët e tij më të mira, veçanërisht me ato të epikës dibrane, si Kënga e Hajredin Pashës, etj..., krijoi mitin e një zëri unik, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut administrativ. Këngët e tij në vite mbeten në kujtesën e njerëzve të thjeshtë, u bënë hite dhe janë të preferuara edhe sot nga publiku, që e do dhe e çmon këngëtarin që i dhuroi publikut shqiptar, vetë Historisë së Muzikës Shqiptare, zërin e tij të artë, përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për vendin e saj, të cilin ai e mbarti kudo që vajti, në të gjitha skenat e botës, si një peng malli e përkushtimi, për t’i shërbyer deri në fund, me përkushtimin dhe përgjegjësinë e një artisti të shquar.
Majat e shkëlqimit të tij artistik dhe vetë karrierës së tij si këngëtar do të arrinte në vitet e luftës së Kosovës, ku këngët e tij si “Marrshi I UÇK-së”, “UÇK-ja shpat më shpat”, etj..., u bënë hite dhe pjesë e ritme të përndezura të qëndresës së madhe të Kosovës martire ndaj barbarisë së fundit sllave në Ballkan. Këto këngë me autorë tekstesh poetë të mirënjohur si Gjokë Beci, Naim Plaku, me kompozitorë virtuozët Edmond Zhulali, Përparim Tomçini e të tjerë, janë jo vetëm kulme artistike të Arif Vladi, por dhe një angazhim i drejtpërdrejtë dhe aktiv i tij në valët e asaj lufte të madhe që do të sillte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sonë.
Arif Vladi ka shkëlqyer në festivale folklorike kombëtare e aktivitete ndërkombëtare, ka marrë mjaft çmime, duke iu dhuruar artdashësve magjinë e zërit të tij të fortë dhe plot ngjyrime jetësore e kombëtare. Këngët e tij janë saga qëndrese epiko-dramatike, që herë ngjajnë me vikamat e eposit të kreshnikëve, herë me ritmet e trazuara të përditshmërisë, por nuk mungojnë dhe këngë të tilla si “Shtatë liqejt e Lurës”, si dhe të tjera këngë malli e dashurie, dhimbje e trishtimi, ku këngëtari shpalos fuqinë dhe kreativitetin e artit të tij të veçantë. Arif Vladi spikat jo vetëm për zërin e veçantë, atë timbër të dridhshëm dhe plot solemnitet, por dhe për shpirtin e tij të vrullshëm, që iu përgjigjet këtyre joneve që dalin nga thellësitë një zemre të dashuruar me vendin e tij, me historinë dhe bashkëkombësit, mes të cilëve ndihet gjithmonë i rrethuar me dashuri, respekt e mirënjohje të pakufishme.
Si drejtor i Qendrës Kulturore Dibër, Arif Vladi ka vënë në lëvizje zemberekun e artit dhe kulturës dibrane, me veprimtari të shumta, ku mund të veçojmë konkursin poetik “Dibra dhe Kastriotët”, promovuar para disa kohësh në Sinë, festimin madhështor dhe me një spektakël të mrekullueshëm artistik të 23 Gushtit, festës së Çlirimit të Dibrës etj.
Në këtë përvjetor të udhëtimit të tij të jetës dhe të këngës, i urojmë edhe një herë artistit të përmasave madhore, mjeshtrit unikal të këngës, Arif Vladit, jetë të gjatë dhe të lumtur, këngë e vetëm këngë të na dhurojë me zërin e tij aq të veçantë, për të cilën kemi aq shumë nevojë në këtë kohë gjithë ngarkesa negative dhe trazime, me të cilat po përballet jo vetëm atdheu ynë, por i gjithë globi…