Veprimtari në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, salla “Aleks Buda”, ora 11.00.
Katër ligjërata nga akad. Vasil Tole, dr. Meri Kumbe, Theodhor Peci, dr. Mikaela Minga
Dy përshëndetje muzikore; kori i muzikës bizantine “Shën Joan Kukuzeli” i Katedrales "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, nën drejtimin e z. Theodhor Peci dhe të kuintetit të shkollës “Jan Kukuzeli”, Durrës, nën drejtimin e artistit Pirro Sota.
****
Veprimtaria kushtuar figurës së Joan Kukuzelit dhe trashëgimisë jomateriale të muzikës bizantine në hapësirën shqiptare organizohet nga Akademia e të Rinjve dhe Komisioni i Përhershëm i Artit dhe i Trashëgimisë Kulturore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Në kuadrin e kësaj veprimtarie, do të mbahen katër ligjërata të hapura për publikun nga akademik Vasil Tole, dr. Meri Kumbe, Theodhor Peci, dr. Mikaela Minga dhe dy përshëndetje muzikore me pjesëmarrjen e korit të muzikës bizantine “Shën Joan Kukuzeli” të Katedrales "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, nën drejtimin e z. Theodhor Peci dhe të kuintetit të Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli” të qytetit të Durrësit, nën drejtimin e artistit Pirro Sota.
Veprimtaria do të moderohet nga z. Andi Rëmbeci, bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Muzika bizantine përfaqëson një nga aspektet më të rëndësishme dhe interesante të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Perandorisë Bizantine. Kjo kulturë e shkruar muzikore mbi 1000 -vjeçare, mbërriti deri në ditët tona, e evoluuar dhe e interpretuar pareshtur prej mësuesve të mëdhenj nga brezi në brez, përmes kodikëve të dorëshkruar muzikorë. Kodikët muzikorë të Shqipërisë datojnë nga shek. XIII deri në shek. XIX dhe, megjithëse të pakët në numër, përbëjnë një dëshmi të vyer për njohjen e traditës së artit muzikor në viset shqiptare. Kodiku më i vjetër muzikor i ruajtur në vendin tonë është kodiku i Beratit nr. 23, i shkruar në vitin 1292. Ky kodik i përket periudhës kukuzeliane, d.m.th. periudhës gjatë së cilës jetoi dhe veproi një prej personaliteteve më të shquara të muzikës bizantine, Joan Kukuzeli nga Durrësi. Krijimtaria e pasur e Joan Kukuzelit karakterizohet nga vlera të jashtëzakonshme monumentale dhe të përmasave epokale, duke iu shtuar thesarit të paçmuar të inteligjencës muzikore të historisë së njerëzimit. Personalitete të shquara të fushës së artit dhe kulturës, si Kostandin Kristoforidhi, Fan S. Noli, etj., e kanë sjellë në shqip këtë literaturë muzikore, duke e bërë pjesë të natyrshme të artit në vendin tonë.