Kosovës dhe në veçanti Prishtinës prej dy vitesh i ka munguar njëri nga festivalet që bëri bujë të madhe ndërkombëtare e zgjoi kureshtje për të njohur më shumë vendin e kulturën tonë.
Por, duket se pritjes së gjatë tashmë i erdhi fundi, sepse është konfirmuar që “Sunny Hill” sdo të rikthehet sivjet pas dy vitesh pauzë.
Përgatitjet për këtë festival veçse kanë filluar, e njëri prej organizatorëve të tij Alban Kastrati ka thënë se ky do të jetë edicioni më i madh i “Sunny Hill”.
“Tashmë është konfirmuar që Sunny Hill Festival do të mbahet, dhe të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që ky të jetë edicioni më i madh i Sunny Hill i bërë deri tani si për nga numri i pjesëmarrësve që do të jenë pjesë në festival, poashtu edhe numri i artistëve performues. Ky edicion do të zgjerohet e masovizohet, për tu shndërru në një platformë të madhe e cila mbështet shumë segmente të shoqërisë dhe krijon vlerë të rëndësishme ekonomike, sociale dhe kulturore për vendin tonë”, tha ai.
Kastrati tha se janë në përfundim të diskutimeve me Komunën e Prishtinës, në mënyrë që “Sunny Hill” ta realizojë gjithë potencialin e vet.
“Natyrisht ne presim mbështetje të plotë nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe gjitha institucionet tjera relevante. Me Komunën e Prishtinës diskutimet janë në fazën finale, dhe kemi marrë zotime shumë të rëndësishme dhe të nevojshme nga Kryetari Rama dhe i gjithë ekipi i tij në mënyrë që Sunny Hill ta realizojë gjithë potencialin e vet, për të sjellë dhjetëra mijëra njerëz në Prishtinë nga e gjithë bota, për të promovuar Prishtinën dhe gjithë Kosovën në mbarë botën (siç ka ndodhur në edicionet e kaluara), për të krijuar vlerë e ndikim të shumëfishtë për qytetin tonë”, tha tutje ai.
Sa i përket lokacionit të festivalit, duket se ende nuk ka një të tillë të saktë dhe kjo çështje sipas Kastratit duhet të finalizohet bashkë me Komunën e Prishtinës.
Ndryshe, Ky koncert është mbajtur për dy vite radhazi, 2018 dhe 2019 në fillim të muajit gusht në Parkun e Gërmisë dhe pauzoi dy vjet për shkak të COVID-it. Ky festival nën drejtimin e babait të këngëtares Dua Lipa, Dukagjin Lipës, në edicionet e mëparshme të “Sunny Hill” solli yje e artistë të mëdhenj të tregut ndërkombëtar.