E dhimbshme, martohet në shtëpi për mamanë që është duke vdekur

Ndryshe

E dhimbshme, martohet në shtëpi për mamanë që është duke vdekur

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 17:04
Federica Ferrari me burrin dhe nënën e saj

"Gjithçka që ajo ëndërronte, ishte që të merrte pjesë në dasmën time. Kështu që unë vesha fustanin e bardhë dhe i fejuari im dhe unë u martuam".

Kështu tregon Federica Ferrari, një vajzë 27-vjeçare nga Limbiate, një qytet në provincën e Monzas dhe Brianzas, historinë e saj, me zërin të mbytur nga lotët.

Emocionet atë të shtunë 28 nëntori, ishin të shumta: ishte gëzimi për të parë të dashurin e saj të veshur si dhëndër, por edhe dhimbja, kur e dinte që së shpejti do t’i jepte lamtumirë nënës së saj.  "Ishin orët e saj të fundit të jetës. Nuk mund të mendoj për një të ardhme pa të", tha Federica.

Ishte dhëndri ai që organizoi gjithçka

Mama Anna, 54 vjeçe, po luftonte me kancerin prej dy vjetësh. Në fillim ajo dukej se e kishte mundur sëmundjen, por në shtator gjithçka u rikthye: kanceri në fazën e katërt, i dha asaj kohë për të parë vajzën e saj të veshur si nuse, pak para se ajo të humbte ndjenjat dhe të vdiste dy ditë më vonë.

Dasma – jo një ceremoni zyrtare, – ishte një surprizë për të fejuarin e Federicas, Fahd Ismail, gjithashtu 27 vjeç nga Brianza: "Sipas planeve, ne duhet të martoheshim vitin e ardhshëm në Napoli, por në javët e fundit situata është përkeqësuar. Unë nuk humba kohë dhe fillova të kontaktoj të gjitha atelietë në zonë që Federica të merrte fustanin e saj të dasmës, atë që nëna e saj gjithashtu ëndërronte. Na ndihmoi një dyqan në Lissone, duke na dhënë këpucë për të dy dhe një këmishë për mua ”, thotë dhëndri i ri, që pastaj shton: "Doja që Federica dhe Anna të ndanin këtë emocion së bashku".

"Momenti më i bukur i jetës sime"

Në këtë mënyrë, duke respektuar distancat dhe rregullat anti-Covid, miqtë dhe të afërmit e ngushtë, disa në video konferencë ose të pranishëm, arritën të merrnin pjesë në dasmë me buqeta me lule.

"Vura grimin dhe kreha flokët dhe sapo nëna ime më pa, ne shpërthyem në lot, – vazhdon Federica -. Sepse ajo nuk i priste të gjitha këto. Fytyra e saj ishte e mrekullueshme dhe unë do ta kujtoj gjithmonë atë. Mes nesh kishte një lidhje shumë të fortë. Babai im u divorcua me nënën kur unë isha tetë vjeçe. Ne kemi jetuar gjithmonë me mamanë dhe gjyshërit e mi nga nëna. Ne gjithmonë jemi kujdesur për njëri-tjetrin".

Federica shikon videon e dasmës çdo ditë, "kryesisht për të rishikuar reagimin e mamit. Për mua, ai ishte momenti më i bukur i jetës sime, sepse ajo ishte atje".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat