Serbia është po aq e fortë sa jemi ne shqiptarët të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të pandershëm dhe të pabesë ndaj njëri-tjetrit.
Me fjalë të tjera, Serbia është po aq e fortë sa jemi ne shqiptarët të paditur, të paarsimuar, të paorganizuar, të painformuar, të përçarë, të nënshtruar dhe të paaftë për t'i dalë përballë.
Ose, për ta thënë edhe më saktë: Serbia është shumë më pak e rrezikshme për ne sesa që jemi ne për vetveten.
Mjafton t'ia hedhim një vështrim historisë së popullit hebre për ta kuptuar se çfarë mund të arrijë një popull që di ta vlerësojë dijen, organizimin dhe bashkimin.
Për mijëra vjet, hebrenjtë e kanë kultivuar dijen dhe kanë nxjerrë mendje të jashtëzakonshme në pothuajse të gjitha fushat e shkencave natyrore dhe shoqërore, si dhe në kimi, fizikë, matematikë, teknologji, industri, bujqësi, ekonomi, armatim, prodhim, ekologji, shëndetësi, shkenca kompjuterike, politikë, filozofi, teologji, arsim, kulturë, zbulim, kundërzbulim, letërsi dhe art.
Për këtë dëshmojnë jo vetëm laureatët e Çmimit Nobel, por edhe filozofët, shkencëtarët, teologët, shpikësit, shkrimtarët, artistët, bankierët, tregtarët dhe poetët hebrenj, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.
Megjithatë, asnjëri prej tyre, sado i ditur, i talentuar apo i famshëm të ketë qenë, nuk mundi ta shpëtonte i vetëm popullin hebre nga Holokausti.
Sepse gjenialiteti individual mund ta lartësojë një njeri, por nuk mjafton për ta mbrojtur një popull të tërë. Dija mund të nxjerrë personalitete të mëdha, por, pa organizim të mençur, pa institucione të besueshme dhe pa vetëdije të zhvilluar individuale e kolektive, ajo nuk shndërrohet vetvetiu në forcë kombëtare dhe shtetërore.
Hebrenjtë, për fat të keq, vetëm pasi i përjetuan tmerret e Holokaustit, e kuptuan plotësisht se mbijetesa dhe siguria e një populli nuk mund të mbështeten vetëm në arritjet e individëve.
Sukseset individuale duhet të shoqërohen me bashkim të mirëkoordinuar, me organizim politik efikas dhe me institucione të afta për ta mbrojtur lirinë, pavarësinë, mirëqenien, sigurinë dhe ekzistencën e popullit.
Kështu, përmes organizimit dhe bashkimit kombëtar, u themelua shteti i tyre, Izraeli.
Ne shqiptarët, ndërkaq, shpesh sillemi sikur rreziku më i madh të na vijë vetëm nga përtej kufirit, pa e kuptuar se sa shumë dëm i shkaktojmë vetvetes me padijen, përçarjen, papërgjegjshmërinë, pandershmërinë dhe paaftësinë tonë për ta vënë interesin e përbashkët mbi ambiciet personale dhe partiake.
Nuk na mungojnë njerëzit e talentuar dhe as mendjet e ndritura. Ajo që na mungon është aftësia për t'i bashkuar vlerat individuale dhe për t'i shndërruar ato në një forcë të përbashkët shoqërore, kombëtare dhe shtetërore.
Sepse një popull nuk bëhet i fuqishëm vetëm pse ka njerëz të zgjuar, por vetëm atëherë kur arrin ta shndërrojë zgjuarsinë dhe aftësitë e tyre në dije kolektive, në përgjegjësi të plotë, në institucione të besueshme dhe në vetëdije të lartë kombëtare.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një populli që e ndërton vetë të ardhmen e tij dhe një populli që vazhdimisht i kërkon tek të tjerët fajtorët për dështimet e veta.
Serbia nuk është as për së afërmi aq e fortë sa mendojmë ne. Shpesh jemi ne aq të dobët, saqë ia lehtësojmë asaj punën dhe nuk ia lëmë asnjë arsye të bëhet më e fortë se ç'është.
Ky nuk është thjesht një vlerësim pesimist, por një realitet që mund të shihet qartë në disa fusha konkrete.
SË PARI: NË INDUSTRINË USHTARAKE
Serbia trashëgoi një industri të konsiderueshme ushtarake nga ish-Jugosllavia dhe arriti t'i ruajë e më pas t'i zhvillojë kapacitetet e saj. Sot, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, industria e saj e mbrojtjes përfshin rreth 200 kompani dhe 20.000 punëtorë. Ajo prodhon dhe eksporton municione, armatime, automjete të blinduara, sisteme artilerie dhe dronë.
Ne shqiptarët, nga ana tjetër, ende nuk i kemi kapacitetet tona prodhuese, kërkimore dhe teknologjike në kuadër të një strategjie të përbashkët të mbrojtjes.
Serbia ka industri ushtarake, ndërsa ne shpesh kemi një industri të tërë të mburrjes patriotike. Serbët prodhojnë armë të sofistikuara, kurse ne shqiptarët bëjmë gara me njëri-tjetrin se kush është patrioti më i madh. Sikur të mund t'i shndërronim të gjitha akuzat tona politike në barut, do të kishim rezerva të mjaftueshme për disa luftëra botërore.
SË DYTI: NË DIPLOMACI DHE POLITIKË TË JASHTME
Serbia ka ndërtuar një diplomaci shtetërore që funksionon në vazhdimësi, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Ajo mban lidhje të konsoliduara me fuqitë botërore, shfrytëzon anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe përpiqet t'i realizojë interesat e saj afatgjata shtetërore përmes aleancave të ndryshme.
Ne shqiptarët, përkundrazi, shpesh nuk jemi në gjendje t'i harmonizojmë as qëndrimet tona për çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat tona kombëtare. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shpesh sillen sikur të ishin tri botë të ndara, të cilat rastësisht flasin të njëjtën gjuhë.
Serbia ndjek një politikë të jashtme, ndërsa ne nganjëherë kemi aq shumë politika të jashtme të ndryshme, saqë në fund nuk na mbetet asnjë politikë e përbashkët.
SË TRETI: NË EKONOMI DHE KAPACITETE SHTETËRORE
Serbia ka një ekonomi dukshëm më të madhe, një treg shumë më të gjerë, një bazë industriale shumë më të zhvilluar dhe mundësi shumë më të mëdha për të tërhequr investime të huaja e për të financuar projekte strategjike.
Kjo nuk do të thotë se ekonomia serbe nuk ka probleme serioze apo se modeli i saj ekonomik është për t'u admiruar. Por do të thotë se Serbia disponon më shumë burime ekonomike për ta mbështetur politikën e saj shtetërore.
Ne, ndërkaq, ende nuk kemi arritur ta shndërrojmë potencialin ekonomik të shqiptarëve në një hapësirë të integruar prodhuese, tregtare dhe investuese.
Paramendojeni vetëm këtë paradoks: shqiptarët kanë kompani të suksesshme në Gjermani, Zvicër, Austri, Amerikë dhe në mbarë botën, por ende nuk kemi arritur të krijojmë mekanizma seriozë që do ta lidhnin këtë kapital me zhvillimin e përbashkët të hapësirës sonë kombëtare.
Kemi kapital, por na mungon bashkërendimi. Kemi sipërmarrës, por nuk kemi mjaftueshëm projekte të përbashkëta. Kemi njerëz që dinë të ndërtojnë kompani me qarkullim prej miliona eurosh, por shpesh nuk dimë të hartojmë strategji ekonomike që i kapërcejnë kufijtë administrativë.
SË KATËRTI: NË ARSIM, SHKENCË DHE TEKNOLOGJI
Serbia ka universitete, institute kërkimore-shkencore, qendra teknologjike dhe një traditë dukshëm më të zhvilluar të arsimit teknik dhe industrial. Sipas vlerësimeve rajonale të OECD-së për aftësitë dhe rezultatet në tregun e punës, Serbia renditet e dyta, ndërsa Kosova ndodhet në fund të listës rajonale.
Kjo nuk është arsye për t'u ndier inferiorë, por arsye për t'u shqetësuar seriozisht dhe për t'u turpëruar nga indiferenca jonë ndaj dijes dhe cilësisë së arsimit.
Kemi universitete që lëshojnë diploma, por jo gjithmonë prodhojnë dije. Kemi tituj akademikë që nganjëherë peshojnë më shumë se librat dhe puna shkencore që duhet t'i justifikojnë.
Kemi institucione arsimore ku diploma është bërë qëllim në vetvete, ndërsa dija ka mbetur një mysafire e padëshiruar, të cilën askush nuk e fton në ceremoninë e diplomimit.
Një popull që nuk investon seriozisht në arsim, shkencë dhe kërkim shkencor nuk mund të presë të jetë konkurrues me një shtet që i ka ruajtur dhe zhvilluar kapacitetet e veta në këto fusha.
SË PESTI: NË INFRASTRUKTURË DHE PLANIFIKIM AFATGJATË
Serbia ka ndërtuar një rrjet dukshëm më të zhvilluar të autostradave, hekurudhave dhe lidhjeve logjistike. Sipas vlerësimeve të OECD-së, ajo bën pjesë ndër vendet më të zhvilluara të rajonit për nga infrastruktura dhe ndërlidhja.
Ne, ndërkaq, ende kemi projekte që zvarriten me vite, hekurudha që presin investime, rrugë që ndërtohen me ritmin e premtimeve parazgjedhore dhe strategji që ndryshojnë sa herë që ndërrohet ministri.
Në Serbi, një projekt strategjik mund të vazhdojë edhe pas ndërrimit të pushtetit. Te ne, nganjëherë mjafton të ndërrohet drejtori që projekti të zbulojë se, në të vërtetë, nuk ka ekzistuar kurrë.
SË GJASHTI: NË VAZHDIMËSINË INSTITUCIONALE DHE ORGANIZIMIN SHTETËROR
Serbia ka një traditë shumë më të gjatë shtetërore, administratë më të madhe dhe institucione që kanë grumbulluar përvojë për dekada me radhë. Ajo e ka kuptuar se shteti nuk është plaçkë e përkohshme e një partie politike, por një mekanizëm i përhershëm për mbrojtjen e interesave të veta.
Ne shqiptarët, ndërkaq, ende kemi politikanë që sillen sikur shteti të ishte trashëgimi familjare, ministritë pronë partiake dhe administrata shtetërore shpërblim për besnikëri politike.
Në vend që në institucione t'i emërojmë njerëzit më të aftë, shpesh i zgjedhim ata që janë më besnikë ndaj politikanëve që i kontrollojnë këto institucione.
E pastaj çuditemi pse nuk kemi institucione të forta!
Megjithatë, këtu duhet të bëjmë një dallim thelbësor:
Serbia nuk është më e fortë se shqiptarët për shkak të ndonjë epërsie të lindur intelektuale, kulturore apo njerëzore. Përparësitë e saj të rëndësishme burojnë nga madhësia e shtetit, vazhdimësia historike, kapacitetet ekonomike, infrastruktura dhe organizimi institucional.
Këto janë përparësi të krijuara gjatë historisë dhe mund të tejkalohen përmes dijes, punës, organizimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Problemi ynë nuk është se na mungojnë njerëzit që dinë dhe janë të aftë. Problemi është se nuk dimë gjithmonë t'i vendosim ata në pozitat e duhura, ku njohuritë dhe aftësitë e tyre mund të vihen në shërbim të shoqërisë.
Nuk na mungojnë patriotët që mburren me kombin dhe betohen për të, por na mungojnë patriotët që ndërtojnë institucione. Nuk na mungojnë njerëzit që e urrejnë Serbinë, por na mungojnë ata që i njohin aq mirë shkencën, ekonominë, teknologjinë, diplomacinë dhe artin e organizimit, saqë nuk kanë nevojë ta fyejnë Serbinë për të dëshmuar se janë më të zotë se ajo.
Mbi të gjitha, duhet ta kuptojmë se bashkimi nuk do të thotë që të gjithë duhet të mendojmë njësoj, të votojmë për të njëjtën parti apo t'u duartrokasim të njëjtëve politikanë. Ai nënkupton se duhet të jemi në gjendje të bashkëpunojmë edhe kur nuk pajtohemi, pa lejuar që interesat personale dhe partiake ta dëmtojnë të mirën e përbashkët.
Hebrenjtë nuk u bënë popull i organizuar sepse të gjithë kishin të njëjtat profesione, bindje apo karaktere.
Ata ndërtuan institucione dhe mekanizma që ua mundësonin bashkëpunimin njerëzve me pikëpamje dhe interesa shumë të ndryshme.
Nga kjo përvojë duhet të nxjerrim një mësim serioz.
Sepse Serbisë nuk i duhet të jetë e pagabueshme, demokratike apo shembullore për të përfituar nga dobësitë tona. I mjafton që ne të vazhdojmë të jemi të përçarë, të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të menduar përtej ciklit të ardhshëm zgjedhor.
Në fund të fundit, armiku më i madh i një populli nuk është gjithmonë ai që ia kërcënon kufijtë, por edhe ai që ia shkatërron nga brenda mundësitë për zhvillim.
Serbia mund të jetë rivali ynë strategjik, por padija, përçarja, korrupsioni dhe mungesa e përgjegjësisë janë aleatët e saj më të besueshëm ndër shqiptarët.
Dhe këta aleatë, për fat të keq, nuk kanë nevojë për pasaporta serbe. Atyre u kanë mjaftuar gjithmonë pasaportat tona.