Policia holandeze ka publikuar së fundmi një histori interesante në Instagram, e cila mund të shërbejë si frymëzim për filmin.
Gjithçka filloi kur dispeçeri i turnit të natës mori një telefonatë nga një i moshuar. Me zë të frikësuar kërkoi ta nxirrnin nga morgu!
“Polici, si mund t’ju ndihmojmë”, tha dispeçeri dhe burri në anën tjetër të linjës u përgjigj se “jam mbyllur”.
Nëpunësi i habitur vazhdoi me pyetje “ti thua se je mbyllur? A e dini ku jeni?”.
Për një moment mendoi se po fliste me një person që vuante nga demenca, gjë që nuk do të ishte hera e parë.
“Po, e di ku jam. Shikoj dërrasën, thotë morg”, tha i panjohuri.
Ai dha edhe një adresë që doli e saktë.
Dispeçeri shprehet se gjithfarë gjërash i kalonin në mendje, veçanërisht imazhi i një të moshuari të ulur këmbëzbathur në morg, pranë një arkivoli të hapur.
“Zotëri, a e dini se si keni arritur atje”, ishte pyetja e radhës.
Pas ca kohësh erdhi përgjigjja “Po… erdha këtu për t’i thënë lamtumirën shokut të ndjerë dhe më duket se më ka zënë gjumi”.
Dispeçeri i tha burrit të mos shqetësohej dhe se do të thërriste për ndihmë. Më pas ai kontaktoi zyrën e funeralit dhe i kërkoi rojës së natës që të hapte ambientet sa më shpejt të ishte e mundur.
“Kam pasur shumë thirrje të çmendura në turnin e natës, por këtë nuk do ta harroj kurrë”, tha polici.