Energjia elektrike dhe ndërtimet arkitektonike

Opinione

Energjia elektrike dhe ndërtimet arkitektonike

Nga: Sali Spahiu, arkitekt Më: 18 janar 2022 Në ora: 16:23
Sali Spahiu, arkitekt

Sot, shumë vende te botës po përballen me një krizë te madhe të energjisë elektrike si pasojë e shpenzimit dhe nevojave shumë të mëdha për energji, por edhe për arsye të mungesës evidente të kapaciteteve energjetike.

Edhe na ne Kosovë po përballemi me këtë problem qe ka marrë përmasa globale.

Cilat janë arsyet themelore për një gjendje të tillë në vendin tonë?

Sigurisht ka shumë, por këtu do t’i numëroj vetëm dy prej tyre lidhur me kapacitet prodhuese:

E para dhe shumë e rëndësishme, mungesa e një planifikimi strategjik e afatgjatë ne vitet e kaluara , e sidomos pas luftës në Kosovë.

E dyta, vjetërsia e tepruar e stabilimenteve ekzistuese, të cilat e kanë një teknologji tashmë shumë të tejkaluar që kërkon mirëmbajtje dhe riparime të vazhdueshme.

Për këtë nuk po e zgjas me shumë, pasi nuk jam ekspert i kësaj fushe.

Por, këtu do të ndalem me gjerësisht në izolimet e nevojshme termike të objekteve arkitektonike që kanë ndikim në kursimin e energjisë elektrike. Pra, këtu kemi të bëjmë me shumë faktor e elemente te rëndësishme siç janë: orientimi i objekteve, fasada dhe izolimet adekuate termike, dyert e jashtme, dritaret dhe lloji i xhamit etj. etj. Siç po shihet te gjitha këto elemente janë shumë të rëndësishme në kursimin e energjisë elektrike.

Në botë këtij problemi qysh moti I kushtohet vëmendje e posaçme, qe rregullohet me ligje, norma e standarde specifike.

Si qëndron puna në Kosovë?

Me keqardhje më duhet të konstatoj se situatën në këtë rrafsh e kemi jo të mirë.

Cilat janë shkaqet e vërteta? Ka shumë por po i numëroj vetëm disa prej tyre e që kanë të bëjnë me projektimin dhe ndërtimin e objekteve arkitektonike.

-Dokumentacioni projektues (teknik) ka rëndësi të veçantë. Në këtë dokumentacion duhet të trajtohet profesionalisht problemi i izolimeve termike në objekt.

-Mos revidimi I projekteve si pasojë e Ligjit aktual të ndërtimit, sigurisht ka ndikim direkt edhe ne cilësinë e dokumentacionit projektues.(mospërfshirja e revidimit të projekteve në Ligjin e ndërtimit është lëshim shumë serioz ).

- Mos kontrolli rigoroz (jo gjithmonë) i projektit nga organet kompetente që e japin lejen e ndërtimit.

-Mungesa e elaboratit të veçantë për izolimet e duhura termike në objekt. Me këtë elaborat definohen izolimet e nevojshme termike, varësisht prej zonës klimatike ku ndodhet objekti, etj.etj…

Nga përvoja mund te them se në Kosovë ka me mija e mija objekte të pa izoluara, ose me izolim krejt provizor.

Natyrisht, kjo dukuri paraqet një shkas të humbjes enorme te energjisë elektrike.

Edhe përdorimi i energjisë elektrike si burim kryesor për ngrohje të shtëpive individuale, banesave kolektive dhe objekteve tjera sot në Kosovë paraqet dukuri shqetësuese.

Pra, e gjithë kjo imponon nevojën e një analize te gjerë e gjithëpërfshirëse, e nëse ka nevojë edhe të ndërhyrjes në Ligjet ekzistuese në fushën e ndërtimit, por edhe në fushat tjera sepse, siç dihet energjia është resurs shumë i rëndësishëm për vendin.

Ngrohja masive me energji elektrike nuk është zgjidhje adekuate. Kjo energji duhet shfrytëzuar shumë racionalisht dhe për nevoja të tjera.

Në qytetet tona, në lagjet tona dhe në të gjitha ndërtesat që kanë destinime të ndryshme duhet të parashihet ngrohje prej burimeve tjera e jo ngrohja e tyre të bëhet me energji elektrike.

Kjo duhet dhe mund të arrihet gjatë planifikimit urban dhe investimeve adekuate për këtë qëllim.

Organet kompetente kanë shumë përgjegjësi që të hartojnë dhe zbatojnë strategji adekuate për ruajtjen e energjisë elektrike duke përfshirë edhe ligjet e sidomos në fushën e ndërtimit, pasi jam i bindur që kanë ndikim të madh në këtë rrafsh shumë të rëndësishëm për jetën tonë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat