Mes gëzimit dhe zisë: Biseda e fundit dhe lajmi i rremë për Teki Dervishin

Opinione

Mes gëzimit dhe zisë: Biseda e fundit dhe lajmi i rremë për Teki Dervishin

Xhevdet Mazrekaj Nga Xhevdet Mazrekaj Më 24 mars 2024 Në ora: 12:13
Themeluesi i gazetës “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj dhe Teki Dervishi ish- drejtor i gazetës "Bota sot", tashmë i ndjerë

Në nderim të 25-vjetorit të sulmeve të NATO-s për çlirimin e Kosovës, kjo është historia ime personale e lidhur ngushtë me atë periudhë historike dhe veçanërisht me një figurë të shquar të medias shqiptare, Teki Dervishin, drejtorin e gazetës "Bota Sot". Si themelues i kësaj gazete, kisha parashikuar dhe informuar për sulmin e shumëpritur nga populli shqiptar, i cili shpresonte në çlirimin e atdheut nga forcat terroriste serbe. Disa ditë para sulmit, në një atmosferë të mbushur me ankth dhe pritje, përgatita duke blerë disa shishe shampanjë për të festuar momentin historik së bashku me familjen time të gjerë.

Sulmi ndodhi, dhe për mua, si dhe për çdo shqiptar, ishte dita më e lumtur në jetë, një gëzim i madh i shekullit. Menjëherë pas sulmit, e thirra Teki Dervishin në telefon nga Zürichu. Pavarësisht zhurmës së bombardimeve, mundëm të shkëmbejmë disa fjalë të shkurtra, të uronim njëri-tjetrin, dhe të bisedonim për organizimin e punës së gazetës në kushte të reja. Biseda jonë u ndërpre shpejt për shkak të problemeve me lidhjen telefonike, dhe pas asaj, nuk kishim më komunikim deri në fund të luftës.

Pas sulmit, mediat serbe shpërndanë lajmin e rremë se Teki Dervishi, së bashku me gazetarin Baton Haxhiu dhe dy të tjerë, ishin vrarë. Ky lajm shkaktoi ditë zie në redaksinë e "Bota Sot" në Zürich dhe në familjen time, pasi Tekiu ishte jo vetëm koleg por edhe mik i afërt familjar. Gjatë qëndrimeve të tij në Zvicër, ai ishte i ftuar i rregullt në shtëpinë time.

Pas përfundimit të luftës, mësuam se Teki ishte gjallë, i lajmëruar nga Shkupi. Ai kishte mbijetuar, tërësisht i izoluar, në një farë mënyre i burgosur nga Baton Haxhiu.

Lajmi i mbijetesës së tij solli gëzim të madh për të gjithë ne.

Ky shkrim është një reflektim mbi këto ngjarje historike dhe mbi rëndësinë e medias dhe gazetarëve në luftën për liri dhe drejtësi. Është gjithashtu një nderim për atë periudhë të vështirë, për sakrificat e mëdha, dhe për gëzimin e pashoq të çlirimit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat