Vuçiqi me rastin e 25 vjetorit të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë!

Opinione

Vuçiqi me rastin e 25 vjetorit të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 24 mars 2024 Në ora: 14:10
Sherif Ramabaja

Populli serb nuk do ta harroi kurrë agresionin e NATOS ndaj Serbisë. Ky ishte një poshtërim ndaj shtetit dhe popullit tim liridashës.

Duket sikur nuk u mjaftoi bombardimi i para 25 vitesh mbi ne, po këto ditë ambasadori amerikan CHristopher Hill tallej me ne duke deklaruar: Serbia qëndron më afër NATOS sesa Kosova ?!

Ne kishim synime vetëm ta ruanim Jugosllavinë si shtet i përbashkët i popujve tanë, për të cilat edhe ju angazhoheshit në fillim, por ju na bombarduat me  gjithë fuqinë dhe forcat tuaja, duke bërë kështu krim ndaj një populli liridashës.

Çdo vit ne i kujtojmë viktimat e këtij krimi mizor që i ushtruat mbi ne, por po ua bëjmë me dije se Serbia nuk dorëzohet. Shpirti luftarak i popullit tonë do të ngadhënjej mbi çdo kënd që e cenon lirinë tonë.

Këtë dita ditës po e dëshmon Dodiku në Bosnje. Këtë u mundua po ashtu ta dëshmonte Radojçiqi në Kosovë, kurse në Mal të Zi po ashtu arritëm ta instalojmë qeverinë pro serbe.

Me këtë po u tregojmë se ne jemi këtu dhe askush nuk mund të na pengoi në synimet tona. Deshët apo sdeshët, Botën Serbe ska fuqi që i del përpara.

Këtë na ka premtuar Putini dhe po ashtu me ndihmën e Kinës, Bjella Rusisë, Koresë Veriore, Iranit, Kubës, Venezuelës, shteteve arabe etj. do ta arrijmë këtë qëllim.

Ne po presim vetëm instruksionet e Putinit dhe Lawrovit që të hyjmë në Kosovë, për denazifikimin e saj. Aksioni jonë po ashtu do të emërohet vetëm si operacion special, sepse ne nuk po hyjmë në asnjë vend fqinjë, po në tokën tonë të cilën na e rrëmbyen NATO dhe perëndimi.

Ne pritëm kot plot 25 vite që të vetëdijesoheni për gabimin që e bëtë ndaj nesh, por tash jemi plotësisht të zhgënjyer në ju. Fatin e Serbisë dhe të popullit tonë do ta marrim vetë në dorë.

Së pari do ta çlirojmë Kosovën, do t´ia bashkojmë Malin e Zi Serbisë dhe do ta shkëpusim Kumanovën me të gjitha vendbanimet serbe nga Maqedonia, nëse është e pajtimit të na bashkohet e tërë Maqedonia ne, s´kemi asgjë kundër. Sa i përket Republikës Sërbska të Bosnjës çdo gjë Dodik e ka bërë gati, mjafton vetëm ta shpall bashkimin me Serbinë.

Populli i dashur serb, këto janë planet e mia, për të cilat jemi armatosur, ushtrinë e kemi në gatishmëri dhe presim vetëm momentin dhe urdhrin që të nisemi në aksion.

Pra mos ta nënçmoi askush Serbinë dhe popullin serb. Për forcën, mentalitetin, zgjuarsinë dhe shkathtësinë tonë, do të keni rast të bindeni. Ne nuk do të jemi vetëm, po në çdo hap do ta kemi edhe kishën tonë e cila gjithmonë u ka prirë këtyre proceseve.

 Populli serb, Serbia, kisha jonë, guximi dhe trimëria e jonë do të na prijnë që ta krijojmë Botën Serbe, për të cilën ne jemi gati të vdesim.

Sapo ta arrijmë këtë qëllim premtojmë se Serbia do ti kthehet paqes, humanizmit dhe vlerave të njerëzimit, pa të cilat nuk mund të ecim përpara.

Pra ne i ftojmë të gjitha forcat përparimtare në botë, që të na bashkohen dhe të na ndihmojmë në aksionin tonë humanitar dhe civilizues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat