Në përvjetorin e intervenimit të NATO-s, në Kosovë

Opinione

Në përvjetorin e intervenimit të NATO-s, në Kosovë

Nga: Dedë Preqi Më: 24 mars 2024 Në ora: 14:42
Autori Dedë Preqi

Përgjigja më adekuate që do t'i jepte situatës dhe krizës humanitare, sikur të ishte rasti në Kosovë në vitet ’98-’99, përmes një logjike të arsyeshme dhe teknike gjithnjë e më të efektshme ndaj agresorit serb, do të ishte vetëm intervenimi i një aleance të fuqishme, siç është NATO-ja, që do të garantonte shpëtim, siguri dhe mirëqenie për një popull që ishte i rrezikuar deri në asgjesim.

Do të ishte pa dyshim edhe një fitore e madhe për gjithë njerëzimin, kur tensionet dhe konfliktet shoqërore dalin në pah, të cilat nuk shmangen më lehtësisht përmes marrëveshjeve të mundshme, dhe palët nuk arrijnë qëllimin me negociata dhe nuk ndiejnë rëndësinë e marrëveshjeve paqësore, duke rrezikuar njëra-tjetrën. Në këtë rast, duhet të ndërhyjë një Aleancë e fuqishme humanitare, që është pikërisht e bashkuar dhe e detyruar për një zgjidhje të mundshme.

Pothuajse e gjithë bota demokratike do ta merrte parasysh një krizë të tillë humanitare, që e kishte kapluar popullin shqiptar në Kosovë nga regjimi i një fashizmi të çmendur të Millosheviqit. Bashkësia ndërkombëtare, në krye me SHBA-të, duke krijuar në ide të parandalimit të këtij rreziku, nuk ngurruan të lëvizin mekanizmat e tyre sa më parë, sepse një përpjekje e vonuar për një intervenim të mundshëm do të kushtonte edhe më shumë në një mjedis shoqëror dhe njerëzor.

Më 24 mars të vitit 1999 ishte koha që do të mbahet gjatë në mendjen e këtij njerëzimi, kur filloi intervenimi i parë i NATO-s në historinë e vet. Sulmet filluan në ora 9:45 minuta drejt qendrave ushtarake serbe në Kosovë dhe në pikat kyçe ushtarake në territorin e Serbisë. Këto sulme zgjatën plot 74 ditë, deri në kapitullimin e forcave ushtarake të Millosheviqit dhe tërheqjen e tyre nga Kosova më 11 qershor. Serbia, edhe mbas gjithë atyre katastrofave dhe historisë tragjike që shkaktoi ndaj një populli të pafajshëm, tani, edhe pas çlirimit të këtij populli dhe pavarësisë së Kosovës, duket sikur sëmundja e saj nacionaliste nuk iu kuroi fare me bombardimet e NATO-s.

Ajo jo vetëm që nuk kërkon falje për gjitha ato vepra kriminale e gjenocidiale ndaj popullit shqiptar, por ende sot, duke kërcënuar dhe provokuar Kosovën, dhe duke destabilizuar rajonin.

Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë provokime edhe ndaj NATO-s, e cila ka përgjegjësinë për ruajtjen e stabilitetit në këtë vend dhe rajon. Prandaj, nuk është largësia që, nëse Serbia vazhdon me këtë ritëm të agresivitetit, ka gjasa që edhe njëherë të ballafaqohet me këto forca të NATO-s. Edhe pse këto forca ia dridhën një herë trollin ndër këmbë, truri i Serbisë mbetet i njëjtë dhe mentaliteti i saj pa ndryshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat