UÇK & NATO ishin si dy duart që lajnë njëra-tjetrën

Opinione

UÇK & NATO ishin si dy duart që lajnë njëra-tjetrën

Nga: Kolonel DILAVER GOXHAJ Më: 24 mars 2024 Në ora: 16:28
Kolonel DILAVER GOXHAJ, Oficeri që mbajti bashkëveprimin 78 ditor midis UÇK-s dhe aviacionin e NATO-s

Në kohë të ndryshme, po shtohen "analistë", "filozofë", ushtarakë, dhe nga uniforma, po edhe nga ata me shkollë; thënë më saktë, politikanë dhe intelektualë të të gjitha fushave, duke u munduar të bindin opinionin shqiptar se Kosovën nuk e çliroi dhe nuk kishte mundësi ta çlironte Ushtria Çlirimtare e saj (UÇK-ja), por vetëm Amerika me NATO-n. Dhe nëse guxoni t'i kundërshtoni, ata nuk përziejnë të të shpallin "antiamerikan" ose heretik (një lloj inkuizicioni propagandistik), sepse guxojmë të themi të vërtetën për mundësitë e UÇK-së. Dhe për këtë ata paraqesin argumente absurde.

Më të zellshëm në këtë "inkuizicion" propagandistik janë ata që nuk kanë lexuar fare historinë ushtarake; ata që kur u luftua në Kosovë gjatë viteve 1997-1999, ose ikën nga sytë-këmbët, ose nuk kuptuan çfarë po ndodhte në Kosovë, ose nuk u pëlqen të flitet për aftësitë e popullit shqiptar në Kosovë, duke mos pasur besim në kombin shqiptar. Ndoshta ashtu ua kërkon servilizmi që kanë në gjak. Dhe "argumenti" më bindës që përdorin këta zotërinj të gjithëdijshëm është përgjigjja antikombëtare: "As mos u shkoi ndërmend që UÇK-ja e vogël ta mundësonte ushtrinë dhe policinë e madhe serbe!" (!)

Kjo përgjigje e këtyre zotërinjve tregon se ata nuk e njohin aspak historinë e Shqipërisë dhe të gjithë kombit shqiptar. Harrojnë se Shqipëria e Skënderbeut, që atëherë nuk ishte as gjysmë milioni, u kundërvua me sukses për një çerek shekulli Perandorisë më të madhe të kohës, asaj Otomane, duke mbrojtur gjithë Evropën Perëndimore nga pushtimi i saj. Ata nuk dinë se edhe ushtria shqiptare vullnetare e Lidhjes së Prizrenit mundi të përballonte reagimin e asaj Perandorie, edhe pse në atë kohë Shqipëria nuk kishte shtet.

Ata nuk dinë se në 1920, në Vlorë, me 4-5 mijë fshatarë shqiptarë, u kundërvuam ndaj Perandorisë italiane për tre muaj luftë. Nuk dinë se edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Partizane Vullnetare Nacionalçlirimtare Shqiptare arriti ta çlironte Shqipërinë me forcat e veta, si asnjë shtet tjetër në Evropë, edhe pse në atë periudhë Shqipëria kishte më pak se njëmilionë banorë. Ajo ushtri partizane përballoi ushtrinë e Italisë fashiste dhe më pas atë të Gjermanisë naziste, edhe pse të dy këto ushtri pushtuese shkatërruan ose na rrafshuan 850 qytete dhe fshatra nga 2.500 që kishte Shqipëria atëherë. Ishte ajo ushtri e vogël që i shkaktoi të dy pushtuesve 58,639 të vrarë, të plagosur, ose të kapur rob, dhe shkatërroi ose rrëzoi 100 tanke dhe autoblinda, 1,334 topa dhe mortaja, 2,855 mitraloza dhe 1,934 kamjona, pa llogaritur armët dhe municionet e kapura.

Luftën e bën morali, jo armët. Apologjetët e propagandës antishqiptare, duke qenë skepticë, nuk duan ta pranojnë se Serbia angazhoi gjithsej 145,554 forca në Kosovë; prej tyre 15,779 ishin pjesëtarë të MPB-së, 61,892 nën komandën e Korpusit të Prishtinës, 13,000 Njësitë Speciale Policore, 200 trupa Njësia Speciale Antiterroriste, dhe 54,683 forca rezervë policore, kryesisht pjesëtarët e ish-"Beretave të kuqe" të formuara në 1991, të cilët kishin marrë pjesë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Mos harrojmë që 95,000 prej atyre forcave sulmuese kriminale ishin në Kosovë një vit më herët se NATO-ja u angazhua me aviacionin e saj, siç dëshmoi në Gjyqin e Hagës kundër Millosheviçit edhe ish-Komandanti i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark.

Ato forca agresore-kriminale serbe, edhe pse vranë mbi 13 mijë civilë duke i varrosur në mbi 530 varreza masive, përfshi 1 mijë e 400 fëmijë të moshës nën 18 vjeç; edhe pse shkatërruan 100 mijë e 589 shtëpi; edhe pse dëbuan jashtë Kosovës mbi 1 milion shqiptarë, megjithatë ndodhi ajo që deklaroi edhe Presidenti Klinton më 23 maj 1999, duke thënë: “Megjithse Millosheviçi ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, ai nuk e ka eleminuar dot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen në skutat për t’u shpëtuar goditjeve ajrore. Tani Millosheviçi po përballet me sigurinë e vazhdimit të situatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së dhe me mundësinë për t’u përgjigjur përpara popullit…” (shih “Ne luftën, ju paqen”, 1999, f.82), duke arritur në fund mbi 38 mijë luftëtarë fronti, të organizuar në 28 Brigada, të ndara në 7 Zona Operative.

Madje, UÇK-ja u rrit duke i shtuar sulmet, edhe pse iu bë Kosovës embargo nga Perëndimi dhe Ballkani, gjë që vërteton moralin e lartë të UÇK-së. Nëse edhe UÇK-ja do të furnizohej nga Perëndimi, sikundër furnizojnë sot Ukrainën, UÇK-ja e kishte çliruar vetë Kosovën, pasi morali nuk i mungonte. “Në luftë, - ka thënë Napoleon Bonoparti,- gjendja morale përbën tre të katërtat e lojës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike”. Si mendoni ju, trimat e paneleve televizive e të Facebook-ut, se ky moral nuk mund të çlironte Kosovën?!

Kjo ushtri popullore shkatërroi 1.616 ushtarë dhe policë (pa përfshirë paramilitarët dhe civilët serbë të armatosur). Ndërsa Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi (Natasha Kandiç) ka raportuar se vetëm 276 ushtarë dhe policë të Serbisë janë të vrarë nga bombardimet e NATO-s, duke i identifikuar me emra. Kjo do të thotë se në çdo 5 armiq të asgjësuar, 4 janë asgjësuar nga UÇK-ja.

Sipas dëshmisë së Oficerit të Sigurimit të Serbisë, Zoran Milovan Stojoviç, dhënë më 1 prill 2003: “vetëm nga 1 janari deri në 30 nëntor 1998, numri i sulmeve të kryera nga UÇK-ja ishte 1486. Në këto sulme u vranë 105 anëtarë të MPB-së dhe 37 anëtarë të UJ-së, ndërsa u nxorën nga loja 481, prej të cilëve 96 ishin civilë serbë vendas të armatosur, 283 ishin anëtarë të MPB-së dhe 102 ishin anëtarë të UJ-së”.

Sipas raportit të Komisionit Special të NATO-s më 16 shtator 1999, në Kosovë janë shkatërruar 93 tanke nga 346 që kishte Serbia në Kosovë, dhe vetëm 13 prej tyre janë asgjësuar nga aviacioni i NATO-s, ndërsa 80 të tjerë janë asgjësuar nga UÇK-ja.

Skeptikët kundër UÇK-së

Jo, mos u shqetësoni, ju që jeni skeptikë ndaj aftësive të popullit tuaj, ne nuk jemi antiamerikanë dhe as mosmirënjohës, por jemi realistë. Le t'i japim Çezarit atë që i takon Çezarit, siç ka thënë dikur Krishti. Nuk ka nevojë të ndërtoni një dramë duke ulëritur: "U BuBuuuu! U mohua Amerika!".

Mos u trondisni, sepse ne, pjesëtarët e UÇK-së, e dimë më mirë se kushdo tjetër se nga ka ardhur ndihma që na dha Amerika dhe Anglia. Ne e njohim peshën që UÇK-ja mbajti gjatë luftës së Kosovës, duke paguar me gjakun e 2.131 dëshmorëve dhe mbi 4.000 të plagosur e invalidë. Kemi qenë dëshmitarë të kujdesit dhe angazhimit të tyre për çlirimin tonë.

Nëse ndihma e NATO-s, nëpërmjet bombardimeve ajrore, na shpëtoi mijëra e mijëra jetë njerëzish dhe ndihmoi në fitoren tonë, kjo nuk na bën mosmirënjohës. Jemi mirënjohës për përkrahjen politike e diplomatike të Amerikës dhe shteteve të BE-së, të cilat ndikuan në angazhimin e NATO-s në luftën kundër Serbisë.

Sulmi mediadik kundër aftësive luftarake të UÇK-së gjatë këtyre 23 viteve të pasluftës, është një presion që synon të na bëjë të heshtim, duke e shpallur UÇK-në si grup terrorist dhe duke kërkuar kthimin e Kosovës nën sovranitetin serb. Kjo tregon injoranca dhe urrejtje ndaj UÇK-së, e cila e mbrojti popullin e Kosovës nga shtypi serb dhe nga regjimi i Millosheviçit.

Ju kundërshtarë të UÇK-së, duhet të kuptoni se UÇK-ja u përball me një ushtri nga më të fuqishmet në Ballkan. Dhe për shkak të luftës sonë çlirimtare, NATO-ja u angazhua në konflikt. Nëse nuk do të kishte qenë UÇK-ja, është e pamundur që NATO-ja të kishte fituar luftën kundër Serbisë. Ushtria e Serbisë do të qe ende në Kosovë sot pa pavarësinë tonë.

Kështu që, përpiquni të kuptoni se këto kritika kundër UÇK-së janë pa bazë, dhe UÇK-ja është e përgatitur të mbrojë historinë dhe kontributin e saj në çlirimin e Kosovës.

Në fakt, është e vërtetë që një vend nuk mund të çlirohet ose të pushtohet vetëm me fuqi ajrore. Historia na mëson që fuqia ajrore e vetme nuk ka pasur sukses të plotë në luftërat e mëparshme. Është e rëndësishme që në çdo luftë të ketë një kombinim të forcave të ajrit dhe forcave tokësore për të arritur objektivat e dëshiruara.

Ushtria duhet të mbështetet në forcën e saj tokësore për të kryer sulme të ndryshme dhe për të vendosur flamurin e fitores në fushën e betejës. Në luftën e Kosovës, UÇK-ja ishte forca kryesore tokësore që u përball me ushtrinë serbe në terren. Ndërkohë, fuqia ajrore e NATO-s ishte një element i rëndësishëm që ndihmoi në mbështetjen e sulmeve tokësore të UÇK-së dhe në ndërrimin e situatës në favor të popullit të Kosovës.

Informacioni ishte një pjesë kritike e kësaj luftë. UÇK-ja siguronte informacion të rëndësishëm për forcat serbe dhe për objektivat e tyre, duke ndihmuar në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve efektive. Ndërkohë, avionët e NATO-s bombarduan objektivat e identifikuara nga informacioni që furnizonte UÇK-ja, duke synuar të minimizonin dëmtimin e popullsisë civile dhe forcave të UÇK-së.

Dakord, UÇK-ja ishte forca kryesore tokësore në këtë konflikt, ndërsa NATO-ja ishte një element mbështetës kyç që ndihmoi në arritjen e fitores së Kosovës. Ndërveprimi i suksesshëm midis forcave tokësore dhe atyre ajrore tregoi se një kombinim i të dyjave është i nevojshëm për të arritur sukses në luftë.

Shembujt që ju përmendët janë të rëndësishëm për të ilustruar se fuqia ajrore e vetme nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të arritur objektivat e luftës. Historia e luftës në Vietnam dhe operacioni në Iran tregojnë se mungesa e bashkëveprimit nga forcat tokësore dhe mungesa e informacionit nga terreni mund të ndikojnë në suksesin e një fushate ushtarake.

Në rastin e luftës në Vietnam, edhe pse fuqia ajrore amerikane ishte e jashtëzakonshme dhe u përdorën të gjitha llojet e armëve dhe teknologjisë më të sofistikuara, pala mbrojtëse nuk kapitulloi. Ky dështim u atribua në njëfarë mase mungesës së informacionit të rëndësishëm nga terreni dhe dobësive në komunikim dhe koordinim.

Njësitë tokësore janë të domosdoshme për të mbështetur fushatën ajrore dhe për të kryer sulme të ndryshme. Nëse forcat ajrore nuk kanë informacion të mjaftueshëm nga terreni dhe nuk janë në bashkëveprim me forcën tokësore, ato mund të hasin vështirësi në arritjen e objektivave strategjike.

Operacioni në Iran për të shpëtuar pengjet amerikane tregoi se mungesa e bashkëveprimit nga toka dhe dobësitë në zinxhirin e komandimit dhe komunikimit mund të çojnë në dështimin e një misioni ushtarak, edhe pse fuqia ajrore është përdorur.

Këto shembuj na tregojnë se lufta moderne kërkon një kombinim të forcave ajrore dhe tokësore, si dhe një bashkëveprim efektiv dhe informacion të mirë nga terreni për të arritur sukses në betejë. Në këtë kontekst, roli i UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës është i rëndësishëm, sepse ata siguruan informacion kritik për forcën ajrore të NATO-s dhe kontribuan në koordinimin e sulmeve të efektshme tokësore kundër forcave serbe.

Për të bindur edhe më skeptikun, por jo analistët e mirëpaguar e mohues të mediave servile shqiptare, sepse ata edhe pse janë të bindur nuk mund ta kapërdijnë një të vërtetë të tillë sado shkencore të jetë analiza, prandaj dhe po i referohemi luftës së 29 shteteve më të fuqishme të botës, përfshi këtu edhe Rusinë, që luftuan gati 10 vjet kundër ISIS-it, madje në një terren krejtësisht fushor, kundër një ushtrie pothuajse guerile, duke kryer jo më pak se 100 aviofluturime në ditë, dhe nuk e mundën dot. Përkundrazi, ISIS-i vijonte të zgjeronte territoret e veta! Pse? Sepse aviacionit të 29 shtetve u mungonte informacioni nga terreni ku zhvillohej lufta; u mungonte ai informacion që i jepte UÇK-ja NATO-s.

Edhe në Luftën e Gjirit, në vitin 1991, “Zbulimi në fushëbetejë ishte një faktor me rëndësi të jashtëzakonshme dhe Shvackopfi kishte në dispozicion të tij të dhëna nga disa burime shumë të rëndësishme... Rëndësi kishte çdo e dhënë që të jepte informacion për vënien në lëvizje të forcave armike... Për ta bërë atë sa më efektiv, Shvarckopfi hartoi plane të veçanta dhe tepër sekrete për të përdorur në thellësi të frontit irakian, forcat speciale zbuluese.”, (M.E.Morris “Stuhia e Shkretëritrës”, Tiranë 1992, f.63-64).

Ndërsa gjatë Luftës në Kosovë NATO nuk e pati të nevojshme të përdorte forcat e veta speciale të zbulimit, sepse ishte UÇK-ja.

Këta shembuj plot fakte që unë solla nuk janë të vetmit, ka edhe shumë e shumë raste të tjerë. Por çfarë na tregojnë këta shembuj?

Tregojnë atë që e pranon Gjenerali Kolin Pauell: “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme”, nëse nuk ka tradhëti nga pala që goditet me aviacion, sikundër ndodhi në Luftën e Irakut në vitin 2003.

Mund të lindë natyrshëm pyetja se ku e mbështeste UÇK-ja besimin në fitore, vallë vetëm te zgjatja e luftës?

Edhe atje, pasi është strategji e domosdoshme për një luftë guerile, të cilën e thekson edhe Henri Kissinger: “Çdo vend që angazhohet në luftë guerile duhet të përgatitet për një luftë të gjatë. Ushtria guerile mund të vazhdojë për një kohë të gjatë taktikat: “godit e tërhiqu”, edhe me forca shumë të pakta”.(“Diplomacia”,f.629).

Dhe këtë strategji të suksesshme, “godit e tërhiqu”, UÇK-ja e bëri formën kryesore të luftës së saj ditën që Serbia u largoua nga Rambujeja dhe filloi Operacionin “Potkoi”. Kjo strategji e re u bë tmerr për ushtrinë serbe. Këtë e kanë pohuar edhe vetë gjeneralët serbë në Gjyqin e Hagës. Njëri prej tyre është gjenerali Bozhidar Nikolla Deliç, i cili gjatë Luftës në Kosovë ishte komandanti i Br.549 e Këmbësorisë së Mekanizuar, me bazë në Prizren, i cili deklaroi: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdornin taktikën: godit dhe ik”.

Ishte kjo strategji që bëri të mundur dështimin e operacionit “Potkoi”, me të cilin “Serbia desh të bënte pastrimin etnik në shkallë të gjerë kundër popullatës shqiptare në Kosovë”, (U.Klark,”Kosova Sot”,22.12.2003).

Vlen të theksohet se këtë objektiv të Operacionit “Potkoi”, UÇK-ja, me strategjinë e re të saj, kish arritur ta dështonte para se aviacioni i NATO-s të fillonte sulmet kundër forcave serbe në Kosovë, qysh në 1 prillin e vitit 1999. Dihet që sulmet e aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë filluan në 14 Prill, tre javë më pas si kishin filluar luftën nga ajri; si rrjedhojë e kushteve të vështira meteorologjike.

Dhe këtë mision ne e arritëm pa ndihmën e NATO-s, të cilën e pranon në Hagë edhe vetë Gjenelari U.Klark: “Sqaroj, unë nuk e kam komanuar UÇK-në. Ne kurrë nuk e kemi ndihmuar UÇK-në. Ne nuk e kemi udhëzuar UÇK-në. Ne nuk e kemi ndihmuar formacionet e saj.”, (“Kosova Sot”, 24.12.2003).

Duke pasur parasysh se NATO e kish luftën e saj të parë dhe, si e tillë, ajo kish hyrë në një luftë të kufizuar, me mandat të kufizuar, për një qëllim të kufizuar, ndaj dhe duhej të përmbushej sa më shpejt.

Mirëpo, dihet që lufta është një ndërmarrje që thith gjithçka. NATO e filloi luftën, por po të mos e kish afruar UÇK-në për bashkëveprim, kish gjasa ta humbiste perspektivën e përfundimit të asaj lufte. Ajo perspektivë e NATO-s nuk humbi, falë UÇK-së; ishte UÇK-ja ajo që ia mundësoi NATO-s ta realizonte atë luftë për 78 ditë, sa dyfishi i kohës së Luftës së Gjirit, “Stuhia e Shkretëtirës”, e vitit 1991, edhe pse kishin të bënin me një ushtri 3 herë më të vogël se ajo e Irakut, si në forca edhe në mjete, edhe pse zotëronin totalisht ajërin.

Prandaj kemi të drejtën morale të themi: Me të vërtetë që SHBA dhe NATO na ndihmuan të çliroheshim shumë më shpejtë e shumë më lehtë se sa ne parashikonim, por ama ishte UÇK-ja ajo që ua zbardhi faqen atyre. NATO-ja dhe UÇK-ja ishin si dy duar që lajnë njëra-tjetrën.

Nëse UçK-ja do të ishte furnizuar me armatim dhe municione nga NATO-ja, lufta do të kishte përfunduar shumë më shpejt dhe me më pak humbje. Por, aleatët e NATO-s filluan të kenë frikë se ndërhyrja ushtarake do ta forconte UÇK-në më shumë sesa do të dobësonte dëshirën e Millosheviçit për të bërë kërdi, të cilën e pohon edhe vetë Sekretari Cohen, “shqetësimi im ishte se nëse do të ndërmerrej ndonjë lloj veprimi, ai duhet të jetë në përputhje me sigurimin që ne të ishim plotësisht neutral, se UÇK-ja nuk do ta përdorte NATO-n për t'i shërbyer qëllimeve të veta. Dhe për shumë muaj, unë bëra deklaratën se ne nuk do të jemi forca ajrore për UÇK-në.” (Shih “ËINNING UGLY - NATO’s War to Save Kosovo”, IVO H. DALDEER & MICHAEL E. O’HANLON, BROOKINGS INSTITUTION PRESS, Washington, D.C., Copyright © 2000, f.35)

Dikush edhe mundet me kokëfortësi prej budallai ta kundërshtoi këtë të vërtetë. Por po sjell këtu faktin tjetër që e njëjta situatë ishte edhe në Bosnjë, luftë e cila zgjati tre vjet. Do pyesni: Pse tre vjet? Sepse nuk u vendos bashkëveprimi luftarak midis forcave ajrore të NATO-s dhe forcave tokësore të Bosnjës, sikundër u vëndos me UÇK-në gati 8 orë para se të kryhej sulmi i parë ajror. Dhe këtë nuk e them vetëm unë që u ngarkova ta mbaja atë bashkëveprim luftarak, por e pohon edhe vetë Shefi i atëhershëm i Shtabe të Bashkuara të SHBA, Gjenerali Kolin Pauell: “Zgjidhjet tona varionin nga goditjet e kufizuara ajrore përreth Sarajevës deri në bombardimet e serbëve në të gjithë teatrin e luftimit. Unë theksova se asnjëri nga këto aksione nuk garantonte që të ndryshonte sjelljen e serbëve. Vetëm trupat tokësore mund ta bënin këtë. Bombardimet e rënda mund t’i bindnin ata të lëshoni diçka, por nuk mund t’i detyronin t’i ndërprisnin luftimet. Dhe, përballë goditjeve ajrore të kufizuara, serbët nuk do ta kishin të vështirë t’i fshihnin tanket dhe artilerinë në pyjet dhe mjegullën e Bosnjës, ose t’i mbanin ato afër popullsisë civile.”, (“Udhëtimi im amerikan”, f.454).

Prandaj u desh t’i ofrohej Milloshit Çmimi Nobel i Paqes që të ndërpritej lufta dhe Amerika të mos angazhohej në Bosnjë me forcat e saj tokësore.

Ato taktika që përdorën në Bosnjë, ato taktika përdorën forcat serbe edhe në Kosovë. Këtë na e pohon vetë Komandanti i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark, duke e pranuar faktin se ishte UÇK-ja, ajo që i nxirrte forcat, tanket dhe artilerinë serbe nga pyjet, qendrat e banuara dhe mjegullat e Kosovës, duke i ekspozuar para aviacionit amerikan dhe angles: “Ne gjithashtu pranonim informata nga UÇK - ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante, vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit…Lufta e vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të delnin në terren të hapur, ku na jepej neve mundësia t’i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme rreth planeve të UÇK-së për të sulmuar brenda në Kosovë… UÇK-ja i nxirrte batalionet serbe nga fshatrat, permes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë t’i sulmonim nga ajri.”, ( Uesli K. Klark “ Ëaging Modern Ëar”, Oxford, UK, 2001, f. 330)

Por Gjenerali Uesli Klark pranon edhe atë çka shprehëm më lartë, se fitorja e asaj lufte nuk erdhi vetëm prej NATO-s. Ajo ishte fitore e përbashkët, e NATO-s dhe e UÇK-së. Si e tillë, prandaj e kanë urdhëruar z.Uesli Klark që atë luftë të mos e quaj luftë, por thjesht një operacion; një stërvitje, me demek! Dhe ai, duke i qëndruar besnik kodit të nderit të oficerit amerikan, nuk mundet ta mohojë të vërtetën, prandaj, qysh në hyrje të librit të tij, (“Ëaging Modern Ëar”, Oxford, UK, 2001,f.V), shkruan: “Ne është dashur ta festojmë suksesin tonë, por për arsye se nuk mund ta cilësonim si luftë, nuk mund ta cilësonim atë as si fitore, edhe përkundër faktit se e tillë ishte”.

UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste

Por, menjëherë, sikundër është bërë e njohur, KFOR-i, me në krye Gjeneralin anglez Xhekson, pasi e mori gjithë dokumdntacionin e luftës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në nëntorin e vitit 1999, ia ka dorëzuar edhe Serbisë! Pse, vallë, Amerika dhe Anglia nuk i deklasifikojnë dokumentat e luftrave të tyre para një çerek shekulli e më shumë, ndërsa dokumentat tona luftarake ia dha agresorit kundër të cilit luftuam edhe ne edhe NATO?

Prandaj dhe Serbia ka deklaruar se këto dokumenta do t’i përdorë si fakte për ata që kanë dalë e do dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kundër UÇK-së, e cila është instaluar në Hollandë, me vendim të Parlamentit të Kosovës. O tempora! O Mores! Dhe, mos harrojmë se atje do të shkojnë ëndërrimtarët, edhe pse Gjenerali Uesli Klark deklaroi me zë të lartë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë: “Unë nuk e pranoj definimin e UÇK-së si organizatë terroriste... ajo ishte një shpërthim i një lëvizjeje të rezistencës.Unë dua ta them këtë për tu regjistruar si e dhënë.” (“Kosova Sot”, 25.12.2003).

Por, me sa duket, kjo Gjykatë ka qenë paravendosur qysh në Rambuje, duke e pranuar edhe vetë delegacioni i Kosovës me në krye drejtorin politik të SHP të UÇK, Hashim Thaçin dhe Presidentin e atëhershëm të Kosovës Ibrahim Rugovën, ndryshe pse NATO do të rrëmbente ditaret tanë luftarakë dhe t’ia dorëzonte Serbisë? Këto lajme na bëjnë të hedhim dyshime se cilat kanë qenë arsyet që Komanda e TMK nuk i ka dorëzuar ato dokumenta në Arkivin e Kosovës, por i mbajti deri sa një ditë ka pranuar t’ia dorëzoi KFOR-it? A duhet të ketë pasur vallë një marrëveshje të papublikuar politike a ushtarake, që komanda e KFOR-it t‘ia dorëzonte Serbisë dokumentat e SH.P. të UÇK-së? Apo kjo të ketë ndodhur ngaqë Rezoluta 1244 e OKB e quan ende Kosovën pjesë integrale të Serbisë? Derisa edhe zotërinjtë Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk kanë reaguar kur Serbia deklaroi se i ka marrë këto dokumenta nga KFOR-i, mos vallë do të thotë se kanë qenë edhe ata dakort? Mos vallë kjo ka qenë arsyeja pse u çarmatos tak-fak UÇK-ja, për të cilën znj. Medlin Ollbrajt, në librin e saj “Zonja sekretare”, (Tiranë 2003,në f.493-494), shpreh habinë: “Për habinë e disave, UÇK-ja nënshkroi një marrëveshje çmobilizimi me Xheims Rubin-in, i cili kishte qenë ndërmjetësi i bisedimeve, por megjithatë vazhdonte të kishte shumë dyshime për qëllimet e këtij grupi”.

Duke u bazuar në Marrëveshjen e Rambujesë, ku UÇK-së as që i përmendet emri, por veçse nënkuptohet, atje përcaktohet që të çarmatoset dhe t’i jepet gjyqit, gjë që u vërejt edhe në sjelljen armiqësore ndaj UÇK-së nga ana e forcave të KFOR-it, gjatë periudhës së pasluftës kur ajo ende nuk ishte çarmatosur, duke mospranuar që të quheshim më ushtri aleate. Edhe terheqja prej KFOR-it i ditarëve të luftës sonë, na jep të drejtën të dyshojmë se KFOR-i e ka bërë për t'ia fshehur historisë veprimtarinë luftarake të bashkeveprimit të UÇK-së me NATO-n. Dhe kjo na bën të dyshojmë se qëllimi ka qenë i hershëm, për ta shuar nga historia UÇK-në.

E shprehim këtë dyshim, bazuar, jo vetëm në unanimitetin “patriotik” të mazhorancës parlamentare në Kosovë (PDK+LDK+AAK e Nisma), për dërgimin e UÇK-së në Hagë me akuzen: "ushtri terroriste", por edhe në mohimin që i bëhet UÇK-së nga politikanët shqiptarë, “analistët” dhe “filozofët”, andej e këtej kufirit, duke ia dedikuar tërë lavdinë e asaj fitoreje vetëm Perëndimit. Tradhëtia nuk ka brirë, bërë kjo me ndërgjegje apo nga idjotësia. Jo më kot edhe Presidenti Kroat, Ivo Josipoviç, në takimin me Presidentin serb Nikoliçin, midis të tjerave, tha : "Ne nuk veprojmë si të mjerë, siç veprojnë shqiptarët e Kosovës, të cilët harrojnë gjithçka për asgjë!",([email protected]).

Por, me sa duket, politikanët tanë dhe inteligjenca jonë kombëtare përfitojnë nga ajo që ende populli ynë është në stadin që e pat konstatuar para një shekulli Faik Konica: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (“Albania” nr.16, dt.15-30 korrik 1898).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat